Një ngjarje e pazakontë ka tronditur opinionin publik në Suedi, pasi një çift prindërish është dënuar me 8 muaj burg për shkak të neglizhencës në kujdesin dentar të fëmijëve të tyre, një rast që konsiderohet i pari i këtij lloji në vend.
Rasti u bë publik nga e përditshmja suedeze Aftonbladet, që raportoi se hetimi filloi pas një vizite rutinë te dentisti, ku u zbulua se të gjithë fëmijët e familjes kishin prishje të dhëmbëve në shkallë të rëndë. Dëmtimet e shkaktuara ishin aq të rënda sa që dentistët u detyruan të heqin disa dhëmbë për të parandaluar komplikime më të mëdha shëndetësore.
Pavarësisht se prindërit mohuan kategorikisht çdo lloj neglizhence dhe pohuan se kishin marrë masat e duhura për të kujdesur për fëmijët, gjykata vlerësoi se ata kishin dështuar të përmbushnin përgjegjësitë prindërore dhe i shpalli fajtorë për neglizhencë penale ndaj fëmijëve.
Në Suedi, ligji kërkon që prindërit të sigurojnë jo vetëm edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve të tyre, por edhe kujdesin e nevojshëm shëndetësor, përfshirë atë dentar.
Lënia pas dore e këtyre detyrimeve, siç ndodhi në këtë rast, është parë si një formë neglizhence që dëmton seriozisht shëndetin e të miturve dhe shpesh trajtohet me të njëjtin rigorozitet si abuzimi fizik ose emocional.
Vendimi i gjykatës ka shkaktuar një valë reagimesh në opinionin publik. Disa e kanë cilësuar dënimin të tepërt, ndërsa të tjerë e konsiderojnë një mesazh të fuqishëm për rëndësinë e kujdesit ndaj fëmijëve, duke theksuar nevojën për përgjegjshmëri më të madhe prindërore.