Dje e pardje raportuam për Radojica Radomiroviqin, ish-pjesëtar i Ushtrisë Jugosllave edhe gjatë kohës së luftës së llahtarshme në Kosovë. Sot po raportojmë për të birin e tij, Nikollën. Babë e bir del se kanë dy gjëra të përbashkëta – shërbimin në ushtrinë serbe në të kaluarën e tyre, dhe shërbimin në të tashmen në institucione të Republikës së Kosovës gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.
I biri i Radoica Radomiroviq, Zëvendës-Ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nikola Radomiroviq, u emërua nga Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, drejtor në njërën nga drejtoritë komunale. Kështu kishte njoftuar më 4 korrik Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
“Nga sot, Violeta Sakiç, Nikolla Radomiroviq, Nenad Radosavljevic dhe Miroslav Minic do të jenë pjesë e kabinitetit të Kryetarit Lulzim Hetemi,” – pati njoftuar ministër Elbert Krasniqi.
Nikolla Radomiroviq, siç ka kuptuar Nacionale nga burimet e saj, ndryshe (por edhe njëjtë) nga babai i tij, ishte (deri kohëve të fundit para se të bëhej pjesë e kabinitetit të Hetemit) pjesëtar i Ushtrisë së Serbisë, përkatësisht i Brigadës së 4’të ushtrisë tokësore, njësi kjo e vendosur në Kazermën e Rashkës.
Por, kjo nuk i ka penguar Qeverisë e Kosovës, Ministrit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqit, e as Kryetarit të Leposaviqit që është i partisë Vetëvendosje, Lulzim Hetemit, që pjesëtari tash i kabinitetit të qeverisjes së këtij të fundit, të ketë qenë edhe pjesëtar profesional i ushtrisë serbe, njësiti i të cilit është i vendosur në Kazermën e Rashkës, mu matanë territorit të Republikës së Kosovës, përkatësisht Komunës së Leposaviqit, rreth 20 kilometra distancë.