Prej aksidentit deri te vdekja: Katër orët dramatike të Armir Osmanit

Publikuar më:

Disa orë para aksidentit fatal në Pavlan të Pejës, Armir Osmani është përfshirë në një aksident me të njëjtën veturë, Audi Q8, dhe në një rrahje në Prishtinë. Pas këtij incidenti, është nisur për Pejë. I është vënë pas një patrullë policore. Paparaci, ka siguruar pamje të tij në veturë disa momente para ngjarjes tragjike.

Një veturë Audi mori flakë mesnatën e të shtunës në fshatin Pavlan të Pejës pas përfshirjes në një vetaksident.

Skenat pas aksidentit ishin tmerruese. Vetura, një Audi Q8 me ngjyrë të zezë, mori flakë së bashku me shoferin që ishte në veturë.

Shoferi i automjetit është identifikuar si Armir Osmani, 25-vjeç, djali i biznesmenit kontravers nga Mitrovica, Ismet Osmani, raportoi Paparaci të dielën.

Rrethanat e plota janë ende të paqarta.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, makina po qarkullonte me shpejtësi të madhe nga fshati Pavlan në drejtim të Pejës kur shoferi e humbi kontrollin dhe u rrokullis duke përfunduar në një fushë. Në fund, vetura Audi Q8 me targa kosovare shpërtheu në flakë.

Ndihma erdhi shumë vonë për të ngujuarin në veturë.

“Në vendin e ngjarjës kanë dalë njësitet relevante të Policisë, ekipi i zjarrëfiksëve dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës”, tha të dielën zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

Paparaci ka zbuluar se disa orë para vetaksidentit me fatalitet në fshatin Pavlan të Pejës, Armir Osmani është përfshirë në një aksident me të njëjtën veturë, Audi Q8, dhe në një rrahje në Prishtinë. Pas përfshirjes në këtë incident, atij i është vënë pas një patrullë policore. Disa video të cilat i ka siguruar Paparaci, shfaqin Osmanin duke shtënë me armë zjarri dhe duke e sharë policinë.

Incidenti ka ndodhur të shtunën rreth orës 22:00 në lagjen ‘Dardania’ në kryeqytet.

Burime pranë ngjarjes i kanë thënë Paparacit se Armir Osmani ka hyrë në semafor të kuq në një kryqëzim në lagjen ‘Dardania’ dhe e ka goditur një veturë tjetër.

Të dyja veturat e aksidentuara janë ndalur.

I dëmtuari ka insistuar që ta lajmërojë policinë, por Osmani, i njohur për probleme me drejtësinë, i ka ofruar atij mjete financiare për dëmet e shkaktuara dhe i është lutur që të mos e thërrasë policinë, ka mësuar Paparaci.

Pasi i dëmtuari e ka refuzuar ofertën, Osmani e ka sulmuar fizikisht viktimën dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

Një dëshmitar okular i ka thënë Paparacit se pas largimit të Osmanit nga vendi i incidentit, i dëmtuari e ka lajmëruar policinë, e cila, me të pranuar informatën i ka alarmuar të gjitha pikat për ndalimin e automjetit cilin e drejtonte Osmani kudo që haset ai.

Armir Osmani është nisur për në Pejë. Në afërsi të këtij qyteti, ai ka hasur në një patrullë policore e cila ka provuar ta ndalojë por 25-vjeçari nuk i është bindur sinjalizimit të patrullës, ka mësuar Paparaci.

Kjo patrullë policore është vënë në ndjekje veturës Audi Q8 të cilën e drejtonte Osmani.

Pas fillimit të ndjekjes, siç dëshmohet në videot të cilat i ka siguruar Paparaci, 25-vjeçari shihet duke e drejtuar veturën me shpejtësi të madhe, duke shtënë me armë zjarri dhe duke e sharë policinë.

“Ah gratë kah me ua q*”, dëgjohet duke thënë ai në video.

Një pjesë e videos është incizuar nga një shoqërues që gjendej me Osmanin në veturë. Ai ka zbritur nga vetura në një vend ende të panjohur. Osmani ka mbetur vetëm në veturë në momentin e aksidentit fatal.

Një tjetër video është incizuar nga vet Osmani. Në këtë sekuencë të videos, ai nën ndjekje nga policia dëgjohet duke thënë: “Qe tash myten dikund kta p***… familjen kah me ua q*”.

Dhe pastaj vazhdon: “Krejt ka me i vra”.

Videot dyshohet se janë incizuar pas mesnatës së të shtunës, pak momente para se vetura Audi Q8, me Osmanin të ngujuar brenda, të përfshihej nga flakët në një fushë në Pavlan të Pejës.

Aksidenti është raportuar në orën 02:22 të mesnatës të shtunën, sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës të hënën.

Paparaci ka dërguar pyetje në adresë të Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës në Drejtorinë e Përgjithshme dhe në atë të Drejtorisë Rajonale në Pejë për të marrë sqarime për rrethanat e rastit, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Armir Osmani do të varroset të hënën në orën 19:00 në varrezat e fshatit Zhabar të Mitrovicës, sipas një njoftimi të familjes.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.