Polici nga Mitrovica, Elez Peci: Sulmi në Banjskë, tipik ushtarak dhe i financuar mirë

Publikuar më:

Në seancën gjyqësore lidhur me rastin “Banjska”, dëshmitari Elez Peci, koordinator i sektorëve për Stacionin Policor në Zveçan, ka rrëfyer me emocione të forta për natën tragjike të 24 shtatorit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Ai tha se edhe pse nuk ka pësuar lëndime fizike, ndjehet “shumë i lënduar shpirtërisht”.

“Unë si zyrtar policor jam shumë, shumë i lënduar shpirtërisht me humbjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Normal, atë natë nuk kam pasur lëndime nga të shtënat me armë zjarri. Por emocionalisht e ndjej veten të lënduar dhe e ndjej veten si palë të lënduar”, tha Peci gjatë dëshmisë së tij.

Ai tregoi se më 23 shtator 2023, ndërrimi në Stacionin Policor të Zveçanit kishte nisur në ora 19:00 dhe do të zgjaste deri në orën 07:00 të mëngjesit. Si zakonisht, rreshteri Afrim Bunjaku kishte bërë ndarjen e detyrave dhe kishin filluar me patrullime.

Rreth orës 02:30 të mëngjesit, përmes radiolidhjes, njësia e ndërhyrjes së shpejtë kufitare kishte raportuar për dy kamionë të vendosur në hyrje të fshatit Banjskë, që kishin bllokuar rrugën.

Rreshteri Bunjaku kishte mobilizuar Peci, Fahri Shalën dhe Sadat Dushin për të ndërmarrë veprime.

“Ne jemi pajisur me antiplumb dhe helmeta. Unë kam qenë në automjetin Toyota me rreshterin e ndjerë Afrim Bunjakun. Gjatë rrugës në fshatin Josevik kemi ndalur një automjet Golf 3 ngjyrë të kaltër. Në karrikën e pasagjerit e kemi gjetur një antenë të radiolidhjeve të policisë. Pasi që personi nuk ishte i kërkuar, i kemi marrë të dhënat dhe kemi vazhduar në drejtim të Banjskës”, tha Peci.

Sipas tij, situata në Banjskë u përshkallëzua shumë shpejt në një sulm të armatosur, të mirorganizuar dhe të rrezikshëm.

“Kur jemi shkuar në Banjskë, afër 20 metra diku i kemi parkuar automjetet, edhe kemi vazhduar në këmbë, në drejtim të kolegëve tanë që kanë qenë mbrapa kamionëve duke monitoruar situatën. Gjatë rrugës e kam vërejtur se diçka nuk është në rregull, rruga shumë ndriçim i fortë. Kam dyshuar dhe i kam thënë kolegëve ‘po shpërndaheni se mund të jetë kurth’. Në atë moment ka ndodhur një betejë shumë e fortë, që ma ka humbur edhe balancën”, tha ai.

Ai shtoi se pas shpërthimit të parë, pasuan të shtëna nga armë të kalibrave të ndryshëm, nga disa drejtime njëkohësisht.

“Unë i përkas gjeneratës së vjetër, kam shërbimin ushtarak, kalibrat i njoh. Ka pasur të shtëna armësh në formë të hunës nga shkolla ana e djathtë deri te hoteli. Në anën tjetër të lumit, ku ka pasur disa gypa betoni, prej asaj pozite kanë gjuajtur në drejtimin tonë, në atë vend ka pasur disa sulmues, 10-15 metra. Ka pasur edhe të tjerë, ka pasur armë të rënda edhe te manastiri lart atje. Po besoj edhe dëshmitë janë gjetur”, tha ai.

Peci përshkroi momentin tragjik kur u plagos rëndë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Kolegu Mirsadi ka ardhur tek unë, ka thënë ‘kolegët e kanë plagosur rreshterin’, por ofrimi i ndihmës ishte i pamundur. Mirsadi tha ‘po e ndezi veturën dhe po e tërheqi’, por vetura nuk u ndez. Unë për fat të mirë i kisha lënë çelësat në veturë, i thashë ‘shko merre’.

Ai e solli veturën në drejtim të Izvorit, dhe pastaj më kërkoi ndihmë për ta vendosur rreshterin, që ishte në pushim. Fahri Shala më tha: ‘Elez, a po del ndihmoj, se unë ju mbroj’. Atëherë kam dalë unë”, tha ai, raporton EO.

Ai tregoi me emocione të thella momentin kur tentoi ta nxirrte rreshterin nga zona e rrezikut.

“Nuk kish me çka, vdekja shihej me sy. Kam hyrë mbrapa në veturë, jam munduar ta tërheq rreshterin, por nuk kam mundur. Kam dalë jashtë, e kam marrë rreshterin e ndjerë dhe e kam tërhequr në krah. Fillimisht i kemi fikur dritat. Kur i kam futur duart në krah për ta tërhequr, mu kanë nxehur duart. E kam parë që është gjak, i kam larguar, duke menduar se po e lëndoj. E kam kapur nga kaishta dhe e kam tërhequr deri te dera e automjetit. Kur e kam tërhequr mbrapa në karrige, antiplumbi ka depërtuar, ia kam larguar nga trupi krejt”, tha ai.

Peci tha se edhe gjatë tërheqjes, gjuajtjet nuk janë ndalur, dhe se ishte një përballje e pabarabartë në çdo aspekt.

“Sulmi që ka ndodhur ndaj nesh është sulm tipik ushtarak, i trajnuar fort mirë. Nuk jam ballafaquar asnjëherë me diçka të tillë. Besoj se edhe është i financuar shumë mirë. Se armatimi që ka qenë nuk mund të blihet në treg, është i financuar nga Serbia”, tha ai

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.