Plani i shahistit mitrovicas Nderim Saraçi: Kurorëzimi me titullin më të madh të shahut në Evropianin në Serbi

Publikuar më:

Shahisti më i mirë në Kosovë,mitrovicasi Nderim Saraçi, është shumë i motivuar para garës së ardhshme.

Mjeshtri ndërkombëtar i shahut do të paraqitet në Kampionatin Individual të shahut që prej 3 deri më 13 mars mbahet në Vrnjaçka Banja të Serbisë. Në shtetin fqinj, shahisti mitrovicas synon të kurorëzohet me titullin më të madh në shah – kryemjeshtër.

Paraqitja në garat ndërkombëtare që mbahen në territorin e Serbisë është sfidë e vazhdueshme për sportistët kosovarë. Autoritetet në Serbi angazhohen shumë për të pamundësuar paraqitjen e sportistëve të Kosovës në ngjarjet që organizohen në Serbi. Deri më tani në pak raste sportistët e Kosovës kanë garuar në Serbi, ndërsa janë përballur me diskriminim për mënyrën e prezantimit. Ndërkohë në shumë raste sportistët e Kosovës nuk janë lejuar fare të hyjnë në territorin e Serbisë. Secila paraqitje në Serbi është vlerësuar një lloj fitoreje politike. Por shahisti më i mirë në vend synon të ketë sukses edhe në garë.

Saraçi shpreson që shahistët nuk do të kenë telashe për të garuar në Serbi. Ai ka thënë se Unioni Evropian i Shahut ka garantuar prezantim të barabartë për të gjithë shahistët. KOHA ka mësuar se të gjithë shahistët në Evropian mund të paraqiten pa simbole të vendeve të tyre.

“Udhëtojmë të enjten për në Serbi. Të premten fillon Evropiani”, ka thënë Saraçi të martën për KOHËN. Ai është kampion i Kosovës në shah. Në Evropianin individual do të paraqitet edhe nënkampioni i Kosovës, Gani Hamiti.

“Pjesëmarrja jonë është e konfirmuar. Jemi në listën e pjesëmarrësve. Nga Unioni Evropian i Shahut është bërë e ditur për Federatën tonë që të gjithë pjesëmarrësit do të jenë të barabartë sa i takon prezantimit”, ka theksuar Nderim Saraçi.

Synimi i tij është të bëhet kryemjeshtër, apo mjeshtër i madh i shahut. Është titulli më i madh në shah.

“Për t’u bërë kryemjeshtër duhen tri norma dhe që rejtingun në një moment ta kem 2500. Unë dy norma i kam arritur e po ashtu rejtingun 2500 e arrita vitin e kaluar gjatë Olimpiadës në Indi. Më ka mbetur vetëm edhe norma e tretë. Por norma e tretë duhet të përbëhet nga 11 ndeshje. Dhe 11 lojë shahu janë vetëm në Evropian dhe në Olimpiadë. Për këtë arsye Evropiani për mua është shumë me rëndësi. Janë edhe disa gara të rralla me 11 ndeshje, ndërsa Evropiani përfundimisht është mundësi e mirë”, ka shtuar Saraçi. Kosova nuk ka dhe nuk ka pasur kryemjeshtër në shah.

Saraçi është pranë që të bëhet i pari.

“23 të parët në Evropian kualifikohen për Kupën e Botës. Për ne shahistët është garë shumë me rëndësi”, ka shtuar Nderim Saraçi.

Sigurimi i normës së tretë dhe të fundit për thirrjen kryemjeshtër, në Evropianin në Serbi do të ishte moment i veçantë jo vetëm për Saraçin, por edhe për shahun kosovar në përgjithësi.

koha.net

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.