Komuna e Vitisë është tronditur nga një tragjedi e rëndë që ka prekur thellë qytetarët e saj. Brenda vetëm tre ditësh, tre të rinj të komunës humbën jetën në mënyrë të papritur dhe tragjike, duke lënë pas një dhimbje të madhe për familjet dhe të afërmit e tyre.
Në këtë moment të vështirë, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka shpallur ditë zie, për të nderuar kujtimin e jetëve të humbura dhe për të shprehur solidaritetin me ata që po përballen me këtë dhimbje të madhe.
“Kjo dhimbje është e papërshkrueshme dhe ka prekur thellë secilin prej nesh. Në nderim të jetës së tyre dhe për të shprehur solidaritetin e institucioneve dhe të gjithë qytetarëve me familjet që po përballen me këtë dhembje të madhe, shpall të mërkurën, 11.06.2025 DITË ZIE në Komunën e Vitisë.
Gjatë kësaj dite:
• Flamujt në të gjitha institucionet komunale do të ulen në gjysmështizë;
• Aktivitetet kulturore, sportive dhe festive do të pezullohen;
• Institucionet dhe qytetarët do të nderojnë kujtimin e të rinjve tanë me heshtje dhe respekt të thellë.”, thuhet në njoftimin e tij./Periskopi