Për 10 ditë katër ndeshje dhe katër fitore, Trepça në top formë

Publikuar më:

Skuadra më në formë e momentit në Superligën e Kosovës, padyshim që është Trepça.

Ekipi mitrovicas ka pasur një kalendar super të ngjeshur të garave në dy javët e fundit, por që me shumë sukses i ka kaluar provat që ka pasur dhe kësisoj ka dëshmuar që edhe sivjet do të jetë prej pretendentëve kryesorë për trofe.

Trepça në 4 ndeshjet e fundit ka arritur 4 fitore dhe atë për vetëm 10 ditë, ku fillimisht e kishte mposhtur ekipin e madh francez Gravelines në ”Minatori” në kuadër të FIBA Europe Cup, pastaj kishte fituar derbin ndaj Pejës dhe ia kishte rrëmbyer vendin e parë ekipit verdhezi, pas katër ditësh Trepça e mposhti në udhëtim edhe Prishtinën, gjersa në vikendin që lamë pas fitoi edhe ndaj ekipit më në formë të Superligës, Vëllaznimit, duke ia rrëmbyer primatin dhe konfirmoi super-formën në të cilën po kalon.

Këto tri fitore të fundit në Superligë, i kanë mundësuar Trepçës që të renditet e para në tabelë dhe me një fitore më shumë sesa ndjekësi i parë, Peja.

Natyrisht që ardhja e fundit te mitrovicasit, fundori amerikan Darnell Edge ka dhënë energji të madhe dhe ka ndryshuar rrënjësisht organizimin e lojës së skuadrës së Adis Beçiragiqit.

Ekipi mitrovicas duket shumë i motivuar për sukses edhe pse ka një rrugë të gjatë përpara, tifozët dhe klubi janë të bindur për të korrur sukses sivjet.

Trepça e ka fituar trofeun e Superkupës në fillim të edicionit dhe do të synojë edhe Kupën dhe në veçanti titullin e kampionit që i mungon prej më shumë se një dekade.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.