Një operacion i suksesshëm i Policisë së Kosovës është realizuar sot (22 maj 2025) në orët e hershme të mëngjesit, nën drejtimin e Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Burime të sigurta të Sinjalit konfirmojnë se të arrestuarit në këtë operacion janë: Muhamet Musliu dhe Alban Bibaj.
Operacioni policor ka përfshirë dy raste të ndara, me bastisje në Fushë Kosovë dhe Malishevë, ku janë realizuar tri kontrolle të vendbanimeve dhe janë arrestuar dy persona të dyshuar.
Sipas njoftimit zyrtar, të dyshuarit ngarkohen me veprat penale: “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, si dhe “Shpërndarja e propagandës dhe ideologjisë për organizata terroriste”, përmes rrjeteve sociale.
Të gjitha veprimet hetimore janë kryer në koordinim të plotë me organet e drejtësisë, ndërsa priten masa të mëtejshme në vijim.