Katër persona, pjesëtarë të shoqatës “Rinia Islame Kaçanik”, janë arrestuar mëngjesin e të premtes nën dyshimin për vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin dhe përfshirje në vrasje.
Të arrestuarit janë Elmedin Raka, Fatjon Tusha, Ridvan Axhami dhe Labinot Murati.
Ata, dyshohen se janë të përfshirë në vrasjen e rreshterit Muhamed Lika.
Bazuar në aktivitetin në rrjetet sociale, të dyshuarit Ridvan Axhami dhe Labinot Murati disa javë më parë kishin publikuar një fotografi në të cilën shkruhej: “Nuk na intereson ne a na do njeri. Rruga jonë është që të jem më të dashurit e Allahut”.
Labinot Murati dhe Ridvan Axhami, dy nga katër të arrestuarit në Kaçanik të premten
Siç raporton portali Sinjali, të arrestuarit dyshohen për tri vepra penale: vrasje e rëndë në bashkëkryerje, pjesëmarrje në grupe terroriste dhe rekrutim për qëllime terroriste.
Elmedin Raka, njëri nga katër të arrestuarit, ishte akuzuar dhe gjykuar në vitin 2024 për djegien e Gjykatës Themelore në Kaçanik. Raka dhe dy të tjerë të mitur, ishin liruar nga akuzat në mungesë të provave.
Elmedin Raka, i arrestuari në Kaçanik të premten
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha të hënën në një konferencë për media se rreshteri Lika “ka qenë në detyrë zyrtare kur kanë ndodhur këto raste”.
Hoxha, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, tha se motivi i vrasjes së rreshterit mund të jetë i ndërlidhur me rastin e djegies së Gjykatës Themelore në Kaçanik vitin e kaluar.
Aksioni i të premtes është urdhëruar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila i ka në mandat të saj hetimin e veprave të ndërlidhura me terrorizmin.
Rreshteri i Policisë së Kosovës, Muhamed Lika u vra të martën e 1 prillit derisa po hynte në banesën e tij në qendër të Kaçanikut.