Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar se njësia A3 e Termocentralit Kosova A ka dalë jashtë funksionit në mënyrë të paplanifikuar gjatë orëve të para të ditës së sotme, rreth orës 00:30.
Sipas njoftimit në Facebook, ndërprerja është shkaktuar si pasojë e luhatjeve në sistemin elektrik, çka ka aktivizuar sistemin mbrojtës të gjeneratorit dhe ka shkaktuar ndërprerjen automatike të zgjueses.
Po ashtu, KEK ka informuar se edhe njësia A5 e të njëjtit termocentral është ndalur më 18 qershor 2025, në ora 00:02, pas vërejtjes së një humbjeje të ujit në kaldajë. Pavarësisht përpjekjeve për ta mbajtur në funksion, vendimi për ndërprerjen e punës u mor për të shmangur ndonjë avari më të madhe.
Ndërkohë, njësia A4 e TC Kosova A ndodhet aktualisht në proces të rregullt remonti që nga data 16 maj 2025.
KEK ka theksuar përkushtimin e menaxhmentit për të përballuar me seriozitet situatën dhe ka bërë të ditur se po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme teknike dhe organizative për rikthimin e njësive në funksion sa më parë. Bashkëpunimi me aktorët kryesorë të sektorit energjetik është vënë në funksion të zgjidhjes së kësaj situate.
Korporata siguron opinionin publik se synon vendosjen e një standardi të lartë të përgjegjësisë dhe llogaridhënies në të gjitha nivelet operuese, si një element kyç për garantimin e stabilitetit dhe besueshmërisë në furnizimin me energji.