Tre herë dështoi por herën e katërt ia pa hajrin partisë. Ky ishte fati i rrugëtimit për punësim në punë të shtetit për Nasuf Aliun.
Asamblisti nga radhët e Vetëvendosjes në Vushtri, u emërua Drejtor Komercial në KRU Mitrovica. Fitimin e kësaj pozite, opozita në Vushtri po e quan të pamerituar dhe me favorizime partiake.
Ai rikthehet sërish në Mitrovicë, pasi në mandantin e parë të Agim Bahtirit, ishte drejtor i bujqësisë.
KIKS Kosova ia mësyu Mitrovicës dhe kërkoi një takim me drejtorin e ri në këtë ndërmarrje.
Përmes asistentëve, Nasuf Aliu na kishte dërguar fjalë që pyetjeve mund të ju përgjigjet vetëm nëpërmjet postës elektronike.
Mirëpo ekipi i KIKS-it me patjetër deshi që të takohej me drejtorin andaj ia bëri me dije që po pret deri në fundin e orarit të tij.
Pritja e ekipit të KIKS-it tek hyrja e institucionit la drejtorin brenda objektit edhe jashtë orarit.
Ora 16:20 solli Nasuf Aliun poshtë. Sic e do zakoni, drejtori së pari u urua për pozitën e re.
Teksa KIKS-i po tentonte të merrte një përgjigje, krahun drejtorit po ia mbante edhe kryeshefi ekzekutiv, Bashkim Kurti.
I njoftuar për akuzat e opozitës, Aliu thotë se ato nuk qëndrojnë sepse kjo është hera e katërt që po aplikon në këtë institucion.
Në mënyrë kategorike, Aliu mohon t’ia ketë parë hajrin partisë në të cilën bën pjesë që nga viti 2021.
Madje Aliu për KIKS-in thotë se në këtë pozitë ka për të bërë 6 muaj punë provuese, ani pse pikën e tij më të fortë për fitimin e kësaj pozite e llogaritë përvojën e tij 19-vjecare.