Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Nismës, Fatmir Limaj, sipas burimeve të afërta me ta, tashmë kanë arritur marrëveshje politike dhe saga e dështimeve në konstituimin e Kuvendit pritet të marrë fund. Pas konstituimit të Kuvendit, pritet që vendi të bëhet edhe me një qeveri të re, e cila për shkak të lëvizjeve dhe marrëveshjeve politike me partitë e komuniteteve mund ta humbas brenda javësh edhe shumicën parlamentare.
Demokracia.com ka mësuar se Kurti është pajtuar që Limaj të jetë kryeparlamentari i ri dhe ka vendosur ta “sakrifikojë” Albulena Haxhiun. Nuk dihet nëse është pajtuar ende Lista Guxo me këtë vendim të partnerit të tyre kryesor, pasi që kryetarja e Listës Guxo, Donika Gërvalla, e kishte kundërshtuar ashpër idenë që Fatmir Limaj të zgjidhet Kryetar i Kuvendit, duke theksuar se një parti me vetëm tre deputetë nuk mund të pretendojë për pozicionin e dytë më të lartë në shtet. Megjithatë, sipas burimeve të mirëinformuara nga negociatat e Kurtit dhe Limajt, marrëveshja tashmë është çështje e përfunduar dhe Kurti ka pranuar ta lidhë fatin e tij politik në 1-2 vota për t’u bërë edhe një herë kryeministër.
Përveç votave të deputetëve të Nismës, Kurti duket se ka siguruar edhe dy vota të deputetëve të komuniteteve pakicë, me premtimin se pas konstituimit të Kuvendit do ta rrisë numrin e ministrive dhe që të dy deputetët e komuniteteve pakicë do t’i bëjë ministra në qeverinë e re, deri sa zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi thuhet se ka pranuar të sakrifikoi pozitën në ekzekutiv dhe përkohësisht do të qëndrojë si deputete e Kuvendit të Kosovës.
Nëse nuk ka ndryshime në orët e fundit brenda deputetëve të komuniteteve pakicë, Kuvendi i Kosovës mund të konstituohet nesër.