Ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë të martën ka kaluar testimet dhe inspektimet teknike nga ekspertët e Bashkimit Evropian.
Lidhur me këtë, nënkryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skender Sadiku, ka shprehur mbështetje për ndërtimin e urave, duke theksuar se ato janë simbole të lidhjes mes njerëzve dhe kulturave.
Megjithatë, ai ka paralajmëruar se aktualisht ka çështje më urgjente që kërkojnë vëmendje dhe prioritet.
“Nuk është koha e duhur për të filluar [me ndërtimin e urave]. Të mos harrojmë se po afrohen zgjedhjet lokale – këto ura u shërbejnë politikanëve më shumë sesa qytetarëve të zakonshëm,” tha Sadiku për Radion Evropa e Lirë.
Ai shtoi se ndonëse çdo qytetar i Mitrovicës ka nevojë për ura, qyteti ka nevojë më tepër për një qendër kulturore, shkolla që nuk janë në kontejner, dhe për t’u marrë me situatën e personave të zhvendosur, jo vetëm nga komuniteti shqiptar.
Sadiku beson se autoritetet qendrore dhe lokale duhej të konsultoheshin me qytetarët para se të merrej vendimi për ndërtimin e dy urave mbi lumin Ibër, duke e konsideruar këtë vendim si “me rëndësi të madhe.” Sipas tij, ndërtimi i urave të reja duhej të planifikohej vetëm pasi të hapej ura kryesore për qarkullim.
Ai gjithashtu u bëri thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb që të kuptojnë se ndërtimi i urave është gjithashtu në interesin e tyre.