Në Shqipëri nisin ankesat: Turistët nga Kosova po largohen drejt vendeve të tjera të rajonit

Publikuar më:

Kreu i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit në Shqipëri, Zak Topuzi, ka ngritur alarmin mbi një fenomen që po bëhet gjithnjë e më shqetësues për sektorin turistik në Shqipëri – largimi i turistëve nga Kosova drejt vendeve të tjera të rajonit, veçanërisht Greqisë.

Në një deklaratë për mediat, Topuzi tha se Kosova ka intensifikuar bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut për të krijuar një korridor të lehtësuar drejt destinacioneve greke, çka e bën më tërheqëse për pushuesit kosovarë që kërkojnë alternativa të reja dhe më të organizuara për pushimet verore.

“Rajoni është bërë më gati sesa ne. Kosova është lidhur me Maqedoninë për të kaluar më kollaj në Greqi. Kjo tregon se ka një mungesë përgatitjeje nga ana jonë për të mbajtur dhe rritur interesin e turistëve kosovarë në Shqipëri”, tha Topuzi, duke theksuar se Shqipëria po humbet një nga tregjet më të qëndrueshme dhe besnike të turizmit.

Ai theksoi se nuk është fjala vetëm për periudhën verore, por për potencialin që ka Shqipëria për të ofruar një eksperiencë turistike gjithëvjetore për të rinjtë nga Kosova.

“Ne nuk jemi gati për të rinjtë kosovarë, të cilët duhet të kenë mundësi të vijnë në Shqipëri dhe të kalojnë pothuajse të gjithë vitin këtu. Duhet të bëhemi një vend ku ata ndihen të mirëpritur, të angazhuar, ku të kenë çfarë të bëjnë”, theksoi Topuzi.

Sipas tij, nevojitet një investim më i madh në krijimin e aktiviteteve dhe produkteve të reja turistike që do të tërhiqnin vizitorët nga Kosova, jo vetëm për plazhin, por edhe për turizëm kulturor, natyror, sportiv dhe gastronomik.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.