Në Mitrovicë gjeti shtëpinë, në parket trofetë dhe te tifozët një familje – rrëfimi i sukseseve të Tmusic me Trepçën
Në zemër të Mitrovicës, aty ku basketbolli nuk është thjesht sport, por mënyrë jetese, një emër po vazhdon të lërë gjurmë të pashlyeshme me lojën e tij plot pasion dhe lidership. Mikaile Tmusic nuk është thjesht lojtar, por një mjeshtër i parketit dhe një figurë e dashur për qytetin.
Në këtë intervistë të gjatë për Telegrafin, Tmusic ndalet te karriera e tij në Kosovë, sakrificat që janë bërë për të mbrojtur titullin, energjinë që e merr nga mbështetja e tifozëve të Trepçës si dhe për ëndrrën evropiane që e pret atë dhe shokët e tij të skuadrës.
Basketbollisti me pasaportë kosovare është shpallur kampion me katër ekipe të ndryshme – Bashkimin, Sigal Prishtinën, Golden Eagle Yllin dhe Trepçën. Kjo i ka dhënë Tmusicit një ndjenjë krenarie.
“Janë bërë shumë vite që luaj në Kosovë, me skuadrat më të mira në vend, dhe të fitosh titullin me secilën prej tyre është një ndjenjë shumë e mirë dhe një burim krenarie”, ka thënë Tmusic.
Në vitin 2024, Trepça e riktheu titullin në qytetin e saj për herë të parë që nga viti 2012 ndërsa këtë edicion e mbrojti atë titull, por për Tmusicin më e vështirë ishte kjo e fundit.
“Gjithmonë thuhet se është më e vështirë ta mbrosh titullin kampion sesa ta fitosh atë. Mendoj se kjo ndodhi edhe me ne këtë vit, nuk ka qenë aspak e lehtë, por me punë dhe disiplinë ia dolëm të gjithë bashkë”, vazhdoi ai.
Nuk ndodh shpesh në Kosovë që një sportist t’i bindet projektit të klubit për një kohë të gjatë, por kjo nuk vlen për Tmusic. Ai sezonin e kaluar rinovoi edhe për katër sezone të tjera me Trepçën.
“Kam nënshkruar me Trepçën edhe për katër vite të tjera, sepse ndjehem si në shtëpinë time këtu. Jam mësuar me jetën në qytetin e Mitrovicës, kam krijuar shumë shoqëri dhe në një qytet që frymon basketboll, gjithçka është më e lehtë. Nuk ka qenë aspak e vështirë të vendos për këtë hap, nuk kam hezituar fare. Gjithashtu, kemi kryesinë më të organizuar ndër vite në Kosovë, dhe ata janë gjithmonë korrektë me ne në çdo aspekt”.
Tmusic u shpall MVP i finales së Kupës së Kosovës në basketboll për vitin 2025, në ndeshjen ku Trepça triumfoi ndaj Bashkimit me rezultat 85:79.
“Secili jep kontributin e tij në çdo ndeshje, dhe fakti që u shpalla MVP i Kupës më bëri të ndjehem shumë mirë. Punojmë fort për të arritur të gjitha synimet që kemi. Asnjëherë nuk vetëkënaqem me paraqitjet, gjithmonë kërkoj më shumë nga vetja”, deklaroi Tmusic.
Sezonin e ardhshëm për Trepçën do të jetë hera e tretë që do të luajë në kualifikueset e Basketball Champions League (BCL). Tmusic ka thënë se ata tashmë kanë fituar përvojë në këtë garë dhe synimi do të jetë përfaqësimi sa më i mirë i Kosovës.
“Po, tashmë kemi pasur paraqitje në Evropë dhe jemi përballur me ekipe që kanë në përbërje lojtarë shumë cilësorë. Kjo na ka dhënë edhe më shumë përvojë, që këtë vit të jemi edhe më të përgatitur për këtë garë. Do të bëjmë përgatitjet e duhura për të pasur një paraqitje sa më të mirë në Europë dhe, pse jo, të arrijmë ndonjë sukses që mund të jetë shumë i rëndësishëm edhe për Kosovën”.
Nga dashuria e madhe që mitrovicasit kanë për Tmusicin, ata e quajnë atë ndryshe edhe si “Ministri i Mbrojtjes”. 32-vjeçari rrëfen për lidhjen emocionale që ka me ta.
“Në një nga rrjetet sociale kam parë këtë koment dhe kam qeshur kur ma përkthyen bashkëlojtarët. Sigurisht, nofka ka ardhur nga simpatizantët e shumtë të qytetit, dhe besoj se është bazuar në përkushtimin tim për të mbuluar hapësirat e kundërshtarëve në çdo ndeshje”.
“Raporti im me qytetin është shumë i mirë, njerëzit na përshëndesin kudo, ndalen të bëjnë foto me ne dhe na japin shumë dashuri. Torcida është padyshim tifogrupi më i flaktë në Kosovë dhe kam një raport shumë të shëndetshëm me ta. Ata janë forca jonë në çdo ndeshje që luajmë si vendas”, përfundoi Tmusic./Telegrafi