Ndahet nga jeta Bujar Bukoshi

Publikuar më:

Pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë, ka ndërruar jetë sot në moshën 78-vjeçare Dr. Bujar Bukoshi, një nga figurat më të njohura të skenës politike dhe shëndetësore të Kosovës.

Ai lë pas bashkëshorten, Dr. Zana Bukoshi, tri vajzat Ora, Shota dhe Nita, si dhe nipërit Dardan e Taulant.

Bukoshi ishte ndër themeluesit e institucioneve paralele shqiptare gjatë viteve ’90 dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Presidentit historik Ibrahim Rugova.

Ai u emërua Kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil pas shpalljes së Republikës së Kosovës më 1991 dhe për afro një dekadë punoi nga Gjermania për të sensibilizuar botën perëndimore për represionin serb në Kosovë.

I lindur më 1947 në Suharekë, ai përfundoi studimet e mjekësisë në Universitetin e Beogradit në vitin 1971, ndërsa u specializua në urologji në Prishtinë dhe Beograd më 1977. Më pas vijoi edukimin në Gjermani me bursa prestigjioze si ajo e DAAD dhe Senatit të Berlinit. Në vitin 1985 mbrojti doktoraturën në fushën e onkologjisë urologjike në Berlin.

Përveç kontributit të tij si mjek dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, ai luajti një rol kyç në themelimin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku u zgjodh sekretar i përgjithshëm.

I përndjekur nga regjimi serb për shkak të angazhimit të tij politik, në vitin 1990 ai u dëbua dhunshëm nga Klinika e Prishtinës ku punonte si kirurg. Me krijimin e Qeverisë së Kosovës në ekzil, Dr. Bukoshi organizoi rrjetin e donacioneve nga diaspora (“3 përqindëshi”), që mbajti në jetë sistemin paralel të arsimit dhe shëndetësisë në Kosovë.

Lexo edhe:  Sot varroset figura mediatike, Fisnik Vejsa
Pas luftës së Kosovës, ai mori pjesë në negociatat e Rambouillet-së dhe drejtoi Unionin e Fondeve për Rindërtimin e Kosovës (UFORK), përmes të cilit u rindërtuan shkolla, shtëpi dhe projekte kulturore në vend. Më pas shërbeu si deputet, ministër i Shëndetësisë dhe Zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, duke kontribuar në reforma në shëndetësi dhe mirëqenie sociale.

Bukoshi do të mbahet mend si një ndër figurat më të përkushtuara të kohës së rezistencës paqësore dhe të periudhës së ndërtimit të shtetit të Kosovës. Ai ishte një urë lidhëse ndërmjet mjekësisë, politikës dhe mërgatës shqiptare në Evropë. Vdekja e tij lë një boshllëk të madh në jetën publike të vendit.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.