Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar që të ndahen procedurat gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke argumentuar se zhvillimi paralel i dy çështjeve penale është i papërballueshëm për të akuzuarin si në aspektin ligjor, ashtu edhe financiar.
Thaçi përballet me dy aktakuza – një për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, dhe një tjetër për pengim të administrimit të drejtësisë.
Avokatja e tij, Sophie Menegon, ka argumentuar se Thaçi nuk ka burime të mjaftueshme për të mbuluar kostot e dy ekipeve ligjore njëkohësisht. “Formimi i një ekipi të dytë, tërësisht të ndarë, do të kërkonte resurse të konsiderueshme shtesë, që z. Thaçi nuk i ka”, theksoi ajo në parashtrimin e mbrojtjes.
Sipas mbrojtjes, angazhimi intensiv në çështjen kryesore që lidhet me luftën, nuk do ta lejonte Thaçin të përgatitej në mënyrë efektive për gjykimin e dytë që ka të bëjë me ndikimin te dëshmitarët.
Por Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e ka kundërshtuar këtë kërkesë, duke deklaruar se mbrojtja nuk i ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë për financim dhe se ndarja e çështjeve do të ishte e panevojshme. “Opsione të arsyeshme dhe pragmatike duhet të preferohen para ndarjes së panevojshme të aktakuzës”, thuhet në reagimin e ZPS-së, duke përmendur mundësinë e aplikimit për ndihmë ligjore sipas rregullave të DHSK-së.
Në fillim të vitit 2024, Fondacioni për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit kishte denoncuar mungesën e përkrahjes nga Qeveria e Kosovës, ndërsa kishte kërkuar ndihmën e qytetarëve përmes një llogarie të hapur në Shqipëri. Kjo krizë financiare u thellua edhe më shumë pas tërheqjes së avokatit Gregory Kehoe nga mbrojtja e Thaçit.