Brenda degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Vushtrri, gara për përzgjedhjen e kandidatit për kryetar komune po hyn në një fazë vendimtare.
Sipas burimeve brenda partisë, më 8 qershor pritet që kryesia lokale të përcaktojë jo vetëm listën për kandidatët për Asamblenë Komunale, por edhe kandidatin për të parin e komunës.
Dy emra po qarkullojnë në qarqet e brendshme të LDK-së, ish-kryetari Xhafer Tahiri dhe Adnan Lahu, një figurë e re brenda strukturave të partisë.
Rikthimi i mundshëm i Xhafer Tahirit – një ‘bast’ i rrezikshëm?
Xhafer Tahiri, udhëhoqi Vushtrrinë nga viti 2017 deri në 2021. Fitorja e tij në vitin 2017 u arrit përmes një koalicioni të befasishëm me Lëvizjen Vetëvendosje, për të rrëzuar PDK në këtë komunë.
Megjithatë, qeverisja e Tahirit u shoqërua me akuza të shumta për keqmenaxhim dhe klientelizëm, të cilat duket se e ndëshkuan në vitin 2021, kur humbi garën ndaj Ferit Idrizit të PDK-së – ndonëse sondazhet paraprake e favorizonin.
Tahiri gjithashtu doli dobët edhe në garën e brendshme për deputet në vitin 2024, duke marrë vetëm rreth 2,000 vota, në një proces të kontestuar nga të dyja palët për manipulim votash – një sinjal i qartë se pozicioni i tij brenda partisë është dobësuar dhe se rikandidimi i tij nuk do të kalojë pa tensione të brendshme.
Adnan Lahu – profili i një kandidati që synon konsolidim të brendshëm
Në krahun tjetër qëndron Adnan Lahu, një figurë më e re dhe më pak e kontestuar brenda LDK-së.
Lahu ka qenë pjesë aktive e partisë për më shumë se 15 vjet dhe njihet për angazhimin e tij të hershëm në Rininë e LDK-së.
Në kohën kur Tahiri drejtonte komunën, Lahu kishte pozitën e drejtorit të Kadastrit dhe Gjeodezisë, çka tregon për një marrëdhënie të ngushtë dhe të hershme bashkëpunimi mes tyre – por që tash mund të kthehet në garë direkte