Në kuadër të Zyrës për Qeverisje të Mirë, u hap ceremonia e Javës së Krenarisë, me pjesëmarrjen e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Ai theksoi rëndësinë e ngjarjeve si kjo, për të mbrojtur të drejtat e barabarta të komunitetit LGBTQI+, dhe luftën kundër diskriminimit.
Kurti foli edhe për përvojat e dhimbshme të komunitetit dhe angazhimin e Qeverisë për përmirësimin e politikave në fushat e arsimit, shëndetësisë dhe sigurisë. Ai gjithashtu përmendi planin e veprimit për të drejtat e LGBTQI+ (2025-2027), që pritet të miratohet nga Qeveria.
Në fund, Kurti theksoi se përpjekjet do të vazhdojnë për një shoqëri të barabartë dhe të drejtë, duke u angazhuar që secili të mund të shfaqet ashtu siç është, pa turp e pa poshtërim.
Fjala e plotë e Kurtit:
I nderuari z. Aivo Orav, ambasador i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë,
I nderuari z. Jonas Westerlund, ambasador i Suedisë në Kosovë,
I nderuari z. Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të mirë,
Të nderuar partnerë e aktivistë,
Të nderuar të pranishëm,
Mirë se erdhët në Qeverinë e Republikës së Kosovës, qeveria e të gjithë qytetarëve të vendit tonë, pa dallim.
Me shumë kënaqësi ju drejtohem sot në hapjen e edicionit të nëntë të Javës së Krenarisë në Kosovë, e cila po mbahet nën titullin “Asnjë Hap Mbrapa”. Të rëndësishme janë ngjarjet si Java e Krenarisë në betejën për liri dhe të drejta të barabarta, pavarësisht orientimit seksual apo identitetit seksual. Prania e të gjithë juve këtu, dhe mbajtja e Javës së Krenarisë për të nëntën herë në Kosovë, dëshmon gjallërinë dhe aktivizmin e komunitetit.
Mirëpo, për fat të keq, përvojat e dhimbshme nuk janë të panjohura për disa pjesëtarë të komunitetit LGBTQI+, edhe sot, edhe në Kosovë, sikurse në vende të tjera. Ndjenjat e turpit dhe të vetëurrejtjes, mospranimi nga familja dhe diskriminimi në shoqëri, janë dukuri të cilat të gjithë ne, që besojmë fort në liri dhe në barazi, duhet t’i luftojmë së bashku: të zotohemi se do të vazhdojmë përpara, pa asnjë hap mbrapa.
Në këtë drejtim, institucionet shtetërore janë në krye të detyrës. Qeveria jonë po punon vazhdimisht për zhvillimin e politikave adekuate për një shoqëri gjithëpërfshirëse me trajtim të barabartë për të gjithë dhe pa diskriminim. Nën koordinimin e Zyrës për Qeverisje të Mirë pranë Zyrës së Kryeministrit, është hartuar një plan veprimi për të drejtat e personave LGBTQI+ në Republikën e Kosovës (2025–2027), i cili pritet të finalizohet dhe të miratohet nga Qeveria në këtë vit. Ky plan veprimi synon të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për parandalimin e diskriminimit, si dhe të ndërmarrë veprime konkrete nga institucionet në fushat e arsimit, shëndetësisë dhe sigurisë, mes tjerash.
Gjithashtu, nën udhëheqjen e Zyrës së Kryeministrit funksionon grupi këshillues dhe koordinues për të drejtat e komunitetit LGBTQI+ në Kosovë, një mekanizëm kyç për promovimin e të drejtave të njeriut dhe parandalimin e diskriminimit. Ky mekanizëm përbëhet nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe të ministrive përkatëse; përfaqësues të gjyqësorit, Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës; përfaqësues të Komunave dhe të Qendrave për Punë Sociale; si dhe partnerë ndërkombëtarë. Të gjitha këto institucione po punojnë së bashku dhe pa u ndalur, për një Kosovë më të drejtë dhe më të barabartë.
Nobelisti në shkencat ekonomike, Amartya Sen, shkruan për, po e citoj, “mundësinë për t’u shfaqur në publik pa turp” (“the ability to appear in public without shame”), si një aspekt i domosdoshëm i barazisë mes qytetarëve. Pikërisht në këtë drejtim, mbajtja e Javës së Krenarisë është një traditë kuptimplotë e me rëndësi për Kosovën. Kjo javë, dhe të gjitha ngjarjet që do të zhvillohen si pjesë të saj, e mbështesin fuqishëm parimin që secili prej nesh ka të drejtë të shfaqet në publik ashtu siç është: pa turp, pa siklet dhe pa poshtërim.
Pikërisht pse jemi njerëz të ndryshëm, duhet të jemi të barabartë si njerëz. E nëse duhet, atëherë mundemi.
Ju faleminderit dhe ju uroj një javë sa më të mbarë dhe të frytshme!