Ministrja e Punëve të Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla-Schwarz në vend që të aktivizohet që Kosovës t’i sjell njohje të reja dhe anëtarësim në organizata, ajo energjinë e saj po e harxhon të rehatoi bashkëpartikët e Listës Guxo.
Lendrit Iljazi, po ashtu bashkëthemelues i partisë “Guxo”, anëtar i Kryesisë dhe Kryetar i Forumit Rinor si dhe ish-këshilltar politik i kryediplomates në detyrë, është në rrugë për t’u sistemuar në administratën shtetërore, raporton Reporteri.
Kjo përmes konkursit që i siguron ish-kandidatit, që dështoi të bëhet deputet më 9 Shkurt, punësimin “e përhershëm” si shërbyes civil, shkruan gazeta online Reporteri.net. Madje, jo në pozitë dosido, por hiq më pak se Drejtor i Departamentit.
Procesi i këtij punësimi politik në Ministrinë e Jashtme po kryhet përmes Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore që funksionin në kuadër të MAPL-së.
Sipas njoftimit të NMBN-së, Iljazi është kandidati i vetëm që ka kaluar me sukses testin me shkrim për pozitën e Drejtorit të Departamentit për Demokraci Lokale dhe Bashkëpunim Ndër-Komunal, në MPJD. Njoftimi mbanë datën e 30 majit.
Për këtë proces të dyshimtë rekrutimi të bashkëpartiakut të Gërvallës, ende nuk janë deklaruar nga ministria e Gërvallës.
Lendrit Iljazi në zgjedhjet e fundit në Kosovë, si kandidat i Guxo’s në listën e Vetëvendosjes, i kishte marrë 13 mijë e 304 vota, të cilat nuk i siguruan atij një ulëse në Kuvend.
Në faqen e Lëvizjes Vetëvendosje, në prezantimin e tij thuhet se Lendrit Iljazi është edhe bashkëthemelues i partisë Guxo, përveç se anëtar i Kryesisë dhe Kryetar i Forumit Rinor.
“Gjatë mandatit të qeverisë “Kurti 2,” ai ushtron detyrën e Këshilltarit Politik të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Në këtë rol, Lendriti është angazhuar në zhvillimin e diplomacisë ekonomike dhe fuqizimin e programeve për mërgatën. I lindur më 25 prill 1995 në Zgatar, Dragash, Lendriti ka përfunduar studimet universitare në Fakultetin Ekonomik, ku ka fituar titullin Bachelor në Menaxhment dhe Informatikë. Përkushtimi i tij ndaj të drejtave të të rinjve është pasqyruar në kontributin në shoqërinë civile, duke promovuar punën vullnetare dhe fuqizimin e rinisë për pjesëmarrje aktive në vendimmarrje.”, thuhet në faqen e LVV-së.
Po ashtu, në profilin e tij thuhet se në karrierën e tij politike dhe institucionale, ai ka qenë pjesë e kabinetit të Presidencës së Republikës së Kosovës.
“Fokusi i tij në politikë qëndron në fuqizimin e të rinjve, duke krijuar mundësi për arsim profesional, mbështetje për start-up-e, punësim dhe përfshirje aktive në vendimmarrje. Me përvojën e tij në diplomacinë ekonomike, Lendriti synon të forcojë lidhjet ekonomike mes mërgatës dhe Kosovës dhe të tërheqë investime të huaja për vendin. Gjithashtu, ai është i angazhuar për zhvillimin e agroturizmit dhe ndërmarrësisë si shtylla të rëndësishme të ekonomisë. Gjatë fushatës së tij, ai synon të angazhohet me përkushtim të veçantë në komunën e Dragashit dhe në të gjitha fshatrat e kësaj komune”.
Në të kaluarën, Iljazi e ka një rast të evidentuar të sulmit ndaj mediave dhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK). Në një postim në Facebook, ai e kishte akuzuar AGK-në se është shndërruar në “strehë të atyre që përdorin median për shantazh dhe interesa personale”, duke e cilësuar atë si një organizatë që nuk përfaqëson më profesionin e gazetarisë.
Ai i kishte mbrojtur edhe sulmuesit tjerë të gazetarëve, duke thënë se “t’i quash mercenarë të mashtrimit disa individë që sistematikisht gënjejnë publikun, nuk është fyerje – është përshkrim i saktë.”
Iljazi i cili del të jetë shumë aktiv në sulme në rrjetet sociale, në ditën kur Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e intervistun kryetarin e partisë së tij si i dyshuar për korrupsion, e kishte sulmuar edhe sistemin e drejtësisë në vend.
“Ministri Faton Peci është shembulli më i qartë i përkushtimit dhe integritetit në shërbim të qytetarit. Sot, ai po përballet me një përpjekje të ulët për ta njollosur pikërisht për shkak të angazhimit të tij të pandalshëm në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin. Kur drejtësia përdoret si mjet hakmarrjeje ndaj atyre që luftojnë shkeljet e ligjit, dëmtohet vetë besimi në shtetin ligjor. Por të drejtët nuk frikësohen. Puna, integriteti dhe e vërteta nuk lëkunden. Kjo është betejë për drejtësinë — dhe ajo nuk ndalet”, ka shkruar Iljazi.
Ligjet në fuqi nuk e lejojnë që një këshilltar politik gjatë mandatit të tij të aplikojë për ndonjë pozitë në shërbimin civil. Një veprim i tillë konsiderohet si konflikt i interesit. Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, konkretisht neni 18, sqaron kur një zyrtar i lartë ka kufizime.
Aty specifikohet se një këshilltari politik nuk ka drejtë të punësohet në administratë pa kaluar dy vite pas përfundimit të mandatit.
“Zyrtari i Lartë nuk ka të drejt “të punësohet ose të emërohet, për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik, në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese, apo të përfshihet në kontrollin ose auditimin e institucioneve publike dhe private dhe institucioneve vartëse të tyre të cilat kanë marrëdhënie biznesi me institucionin ku ka ushtruar funksionin publik, nëse detyrat e tij gjatë periudhës dy-vjeçare para përfundimit të ushtrimit të funksionit publik kanë qenë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen, kontrollin apo sanksionimin e aktivitetit të tyre”, thuhet në nenin e ligjit.
Në një nen tjetër, ligji në fjalë e specifikon se çka është zyrtari i lartë.
Ky nën tregon se duhet të shikohet Ligji për Deklarimin e Pasurisë, për të kuptuar se kush janë Zyrtar të Lartë.
Kurse, Ligji për Deklarimin e Pasurisë, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave, respektivisht neni 4, ndër të tjerë, thotë se zyrtarë të lartë llogariten edhe, “Këshilltarët e Presidentit të Republikës së Kosovës, Këshilltarët e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Këshilltarët e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe Këshilltarët e ministrave të Qeverisë së Kosovës, përfshirë këshilltarët e jashtëm politikë”.