Dhunimi vazhdon të jetë një nga krimet më të rënda dhe më shqetësuese në shoqërinë kosovare, që shpesh shoqërohet edhe me elemente të tjera të rënda penale. Përtej traumës që u shkakton viktimave, këto raste shpesh nxjerrin në pah shkelje të tjera të ligjit nga të dyshuarit.
Një rast i tillë është zbuluar së fundmi në komunën e Vushtrrisë, ku përveç hetimeve për dhunim, janë siguruar prova që e lidhin të dyshuarin edhe me posedim e përdorim të armëve pa leje – përfshirë edhe armë të tipit ushtarak AK-47.
Burime të besueshme të Sinjalit brenda hetuesisë bëjnë me dije se gjatë shqyrtimit të telefonit të Besnik Lahut, rreth 39-vjeçar, të dyshuarit në një rast dhunimi, janë hasur dy video incizime të qarta, në të cilat shihet ai duke shtënë me armë zjarri.
Në një nga videot, i dyshuari shihet duke përdorur pistoletë, ndërsa në tjetrën, armë automatike AK-47, gjë që ka ngritur dyshime serioze për posedim dhe përdorim të armëve pa autorizim.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, Policia ka realizuar një kontroll në shtëpinë e të dyshuarit në fshatin Novolan, Komuna e Vushtrrisë.
Gjatë operacionit, i dyshuari ka dorëzuar vullnetarisht këto armë dhe pajisje: Një pushkë ajrore (me leje valide), një pistoletë CZ me dy karikatorë të zbrazët dhe kuti mbajtëse (me leje valide), një armë automatike AK-47 me një karikator aktiv dhe rreth 20 copë fishekë kalibër 7.62×39 mm.
Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari nuk posedonte leje për armën AK-47 dhe fishekët, që përbëjnë shkelje të rëndë të ligjit.
Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, me vendim të Prokurorit të Krimeve të Rënda, Besnik Lahu është ndaluar për 48 orë.
Ndaj tij është iniciuar rast penal për veprat: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”