Prof. asoc. dr. Festim Kutllovci, dekan i Fakultetit të Gjeoshkencave në Universitetin e Mitrovicës ka reaguar pas marrjes së njoftimit zyrtar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përmes së cilës është hedhur poshtë kallëzimi penal i bërë ndaj tij nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Armend Muja.
Kallëzimi në fjalë, i paraqitur publikisht disa vite më parë, kishte të bënte me pretendime për gjoja keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës kur Prof. Kutllovci kishte qenë pjesë e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), së bashku me anëtarët e tjerë të bordit dhe drejtorin e institucionit.
Në qendër të akuzave ishin pretendime, të cilësuara si të pabazuara dhe absurde, se përmes një vendimi të supozuar të paligjshëm, investitorëve privatë u ishin dhënë zona me interes të ndërmarrjes “Trepça” në Zjaqë, Vllahi dhe Gumnishtë – të cilat deputeti Muja i kishte përshkruar si pasuri me vlerë hipotetike prej 1 miliardë eurosh.
Me hedhjen poshtë të kallëzimit penal, drejtësia, sipas Prof. Kutllovcit, ka vërtetuar se pretendimet kanë qenë shpifje të rënda dhe tërësisht të pabazuara në fakte, ligj apo realitet.
Në deklaratën e tij, ai thekson se veprimet e tilla, të cilat vijnë nga politikanë që ndërtojnë karrierën mbi shpifje dhe manipulim publik, dëmtojnë jo vetëm reputacionin e individëve, por edhe besimin e qytetarëve në institucionet e vendit dhe moralin publik.
Prof. Kutllovci rithekson se ka pasur besim të plotë në institucionet e drejtësisë dhe se ky epilog është një dëshmi se e vërteta, megjithëse mund të vonojë, gjithmonë del në pah. Ai falënderon familjen për përkrahjen e pakusht dhe njofton se, në konsultim me avokatin e tij, do të shqyrtojë mundësinë e ngritjes së kallëzimit penal për shpifje dhe dëmtim të imazhit të tij personal dhe profesional.
Në përmbyllje, ai nënvizon se Kosova ka nevojë për institucione të forta dhe përfaqësues që udhëhiqen nga përgjegjësia dhe integriteti, jo nga mashtrimet dhe skandalet e fabrikuara.
“Zëri i shpifësit është i zhurmshëm, por zëri i së vërtetës është i pathyeshëm”, thuhet në fund të deklaratës së tij.
Postimi i plotë: