Glauk Konjufca bëhet edhe U.D i presidentit të Kosovës, do ta mandatojë Kurtin për kryeministër

Publikuar më:

Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës që u zgjidh sot, Glauk Konjufca, do të jetë edhe ushtrues i detyrës së presidentit të Kosovës.


Ai mori përkrahjen e 69 deputetëve për ta udhëhequr Kuvendin, e me automatizëm bëhet edhe drejtues i Presidencës së Kosovës.

Këtë pozitë, Konjufca do t’ia marrë pararendëses, u.d të presidentes Vjosa Osmani, e cila mori detyrën pas dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi.

E se Konjufca pritet të jetë president i ri, e konfirmon edhe profesori i të Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu. Ai thotë se kjo bëhet me automatizëm.

“Meqë e kemi një situatë të tillë me ushtrues detyre të presidentit, kryetari i ri i Kuvendit do të duhej ta merrte këtë detyrë në mënyrë automatike. Edhe pse kjo çështje nuk është e përcaktuar në mënyrë taksative në Kushtetutë, është e nënkuptueshme sepse vlen principi i analogjisë”, thotë Baraliu për Radion Evropa e Lirë.

Mirëpo, sipas Baraliut, nuk është e qartësuar nëse presidenti i ri do të ketë mandate të ri 6 mujor, apo vetëm do t’i vazhdohet mandati që mori Vjosa Osmani.

Sidoqoftë, me këtë zhvillim, vështirësohet procesi i votimit të Qeverisë së re, pasi Konjufca duhet ta marrë detyrën në Presidencë e më pas ta mandatojë Albin Kurtin për kryeministër.

Ndërkohë, Vjosa Osmani për pak ditë do të dalë në vota për ta rimarrë pozitën e Presidentit, të cilën e ushtroi për disa muaj. Asaj i nevojiten 2/3 e deputetëve për t’u zgjedhur e parë e shtetit, të cilat akoma nuk i ka të sigurta.

JU REKOMANDOJMË