Gjykata detyron Kujtesen që ta kthejë në punë punëtoren dhe t’ia paguajë rrogat mbi 1 mijë euro

Publikuar më:

Gjykata Themelore e Pejës ia ka aprovuar kërkesëpadin Eltene Geca-Sadiku për anulimin e vendimit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës nga e paditura ‘’Kujtesa Net’’, SH.P.K., e gjithashtu edhe kompensimi i pagave të humbura e atë në vlerë prej 1 mijë e 387 euro.

Këtë vendim kishte marrë gjyqtari i çështjes Ilir Berisha, ku ia anuloj vendimin e të paditurës ‘’Kujtesa Net’’, për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, e duke e detyruar atë që ta kthej në vendin e punës paditësen Geca-Sadiku.

Sipas aktgjykimit, gjyqtari Berisha, por anulimit të vendimit të paditurës, ai ia aprovoi kërkesën për kompensimin e pagave të humbura që nga ndërprerja e marrëdhënies së punës nga data 15 mars 2021 e gjerë me datën 31 gusht 2021, shumën prej 1,387.50 euro.

E paditura gjithashtu u detyrua që t’ia kompensoj paditëses shpenzimet e procedurës kontestimore atë në vlerë prej 835 euro.

Sipas aktgjykimit, gjykata kishte vlerësuar provat veç e veç dhe të gjitha në lidhshmëri reciproke e në kuptimin e nenit 8 të LPK-së, dhe erdhi në përfundim se në rastin konkret duhet vendosur si në dispozitivin e aktgjykimit në fjalë.

Lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e paditëses në vendin e punës në kompaninë ‘’Kujtesa Net’’, përkatësisht në pozitën si arkëtare, gjykata gjeti se paditësja kishte qenë në marrëdhënie pune me kontratë pune në kohë të caktuar, e atë në periudhë kohore prej 10 viteve, ku u konsiderua se kishte kontratë pune me periudhë të pacaktuar kohore.

Bazuar në nenin 10 pika 5 të Ligjit të Punës, gjykata konsideroi se fillimisht e paditura është dashur t’i zbatoj rregullat për ndërprerjen e kontratës së punës në kohë të pacaktuar.

Nga aktgjykimi thuhet se sa i përket vendimit për largimin e përkohshëm nga puna i datës 10.03.2021, gjykata konsideroi se i njëjti është i kundërligjshëm për faktin se është në kundërshtim me dispozitën nga neni 73 i Ligjit të Punës, i cili përcakton se “I punësuari mund të largohet përkatësisht nga puna, kur ndaj tij kanë filluar procedurat penale për shkak të dyshimit të bazuar të veprës penale, kur i punësuari është në vuajtje të paraburgimit, ose kur i punësuari kryen shkelje të obligimit të punës të përcaktuar me ligj’’, pra, thuhet se nuk qëndron arsye mbi bazën e të cilës e paditura ka vendosur si në vendimin në fjalë.

Sipas arsyetimit të aktgjykimit gjithashtu thuhet se vendimi nr.2935 i datës 15.03.2021, për shkëputjen e marrëdhënies së punës, është në kundërshtim me dispozitën nga neni 70 par.3 i Ligjit të Punës, ku përcakton se ‘’Punëdhënësi duhet që të mbajë takim me të punësuarin për t’ia shpjeguar atij/asaj ndërprerjen e kontratës së punës ose me qëllim që t’ia dorëzoj paralajmërimin, i punësuari ka të drejtë që të shoqërohet nga një përfaqësues sipas dëshirës së vet’’.

E në rastin konkret thuhet se e paditura ka vepruar krejt ndryshe nga ajo që është përcaktuar me ligj, e bazuar në këtë gjykata konsideroi se e paditura gjatë nxjerrjes së vendimeve në fjalë nuk ka zbatuar procedurën lidhur me ndërprerjen e marrëdhënies së punës ashtu si është paraparë me ligj, pra sipas gjykatës vendimet e të paditurës konsiderohen si të kundërligjshme, raporton ‘’Betimi për Drejtësi’’.

Në aktgjykim ishte cekur se gjykata vendimin e saj e kishte mbështetur edhe në vendimin e datës 10.06.2021, të nxjerrë nga Inspektoriati i Punës, ku në bazë të gjeturave, e paditura ka bërë shkelje të dispozitave ligjore ku si pasojë e kësaj ka rezultuar me shkeljen e të drejtave të punësuarve të garantuara me ligj.

Sipas aktgjykimit, gjykata nga provat e nxjerra ka gjetur se paditësja, me asnjë veprim të saj, në asnjë rast nuk ka bërë shkelje të detyrave të punës, përkundrazi e njëjta ka marrë mirënjohje për vitet e shërbimit të devotshëm në Kompaninë Kujtesa, e që vetvetiu e hedhë poshtë konstatimin e cekur në vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, ku thuhet se paditësja Eltene Sadiku, ka kryer shkelje të rëndë duke manipuluar me kontrata të klientëve.

Ndryshe, paditësja Eltene Geca Sadiku, në prill të 2021-ës, kishte ngritur padi kundër të paditurës “Kujtesa Net”, për kompensimin e të ardhurave personale dhe kthimin në vendin e punës.

Sipas padisë, në muajin nëntor 2008, paditësja kishte lidhur kontratë pune me të paditurën për kohë të caktuar, me të cilën paditësja mori detyrën që të kryejë detyrat e saja në cilësinë e punëtores me titullin ‘’Arkatare’’.

Sipas padisë thuhet se e paditura në mënyrë të kundërligjshme në mars të 2021-ës, përmes postës elektronike e kishte ftuar paditësen në një takim së bashku me koleget e punës, Altina Turjaka dhe Krenare Gusinja Grapci.

Gjatë bisedës përfaqësuesit e punëdhënësit ‘’Kujtesa Net’’, kanë shprehur akuzat e tyre ndaj paditëses dhe kolegeve prezente kinse për manipulim të kontratave të klientëve.

Vendimin mbi suspendimin e kishin përcjellë edhe përmes postës elektronike në të njëjtën datë duke korrigjuar datën e afatit të suspendimit nga data 10.03.2021 në datën 15.03.2021, meqenëse ky vendim i dorëzuar në zyrën e Prishtinës mbante parregullsi sepse në të njëjtën datë që ishte nxjerrë vendimi, përfundonte edhe afati i suspendimit pa pagesë. /BetimipërDrejtësi

JU REKOMANDOJMË