Prindon Sadriu, bashkëshorti presidentes, Vjosa Osmani, është larguar nga pozita e Drejtorit të Departamentit për NATO dhe Politika të Sigurisë në MPJD dhe është sistemuar përkohësisht në pozitën e Drejtorit të Departamentit për Amerika. Ky vendim është marr në prill të këtij viti nga ministrja Gërvalla, i cili është interpretuar si akt hakmarrjeje ndaj familjes Sadriu, pas prishjes së raporteve me zonjën Osmanin.
Sadriu, i cili kishte përfunduar mandatin si diplomat në Ambasadën e Kosovës në Shkup, ishte emëruar në dhjetor 2023 nga vetë ministrja Gërvalla si drejtor për NATO dhe Politika të Sigurisë. Në këtë pozitë ai shërbeu deri në fillim të prillit 2025.
Gazeta Insajderi përmes burimeve brenda këtij dikasteri ka mësuar se ai është larguar nga kjo pozitë me urdhër të Donika Gërvallës e cila ishte bashkëpartiake me bashkëshorten e tij, Vjosa Osmanin.
Këtë informacion e ka konfirmuar Sadiru përmes një përgjigje dhënë Gazetës Insajderi.
Ai ka konfirmuar se është larguar përkohësisht nga pozita e Drejtorit të Departamentit për Amerika, bazuar në një vendim zyrtar të MPJD-së
“Prej datës 1 prill 2025, jam sistemuar përkohësisht në pozitën e Drejtorit të Departamentit për Amerikën, bazuar në një vendim zyrtar të MPJD-së, në të cilin theksohet se ky emërim është bërë për shkak të vlerësimit profesional të kapaciteteve të mia drejtuese dhe përvojës institucionale,” tha Sadriu për Insajderin.
Ai mohoi kategorikisht se mandati i tij në Departamentin për NATO ka përfunduar përfundimisht, apo se lëvizja lidhet me ndonjë mospërmbushje të detyrave.
“Nuk qëndron aspak pretendimi se ka përfunduar përgjithmonë mandati im në Departamentin për NATO dhe Politikën e Sigurisë, dhe aq më pak që ky ndryshim pozitash lidhet me ndonjë “mospërmbushje të detyrave”, siç është pretenduar në mënyrë krejtësisht të pavërtetë”, ka thënë Sadriu.
Në vend të Sadriut në krye të Departamentit për NATO është emëruar ambasadori Astrit Zemaj, pas kthimit të tij nga Brukseli, ku shërbente si përfaqësues i Kosovës për marrëdhëniet me NATO-n.
Përplasjet politike Kurti – Osmani, rezultuan me “hakmarrje” ndaj Prindon Sadriut
Përmes një përgjigje të dhënë për Gazetën Insajderi, Sadriu ka konfirmuar pakënaqësitë e tij me vendimet që ka marr ministrja Gëvalla ndaj pozitës së tij në MPJD.
Ai hedh kritika ndaj menaxhmentit të lartë të MPJD’së për marrjen e vendimeve të qëllimshme dhe të njëanshme ndaj tij.
“…në periudha të caktuara janë ndërmarrë veprime të qëllimshme nga menaxhmenti i lartë i MPJD-së që kanë ngritur shqetësime serioze. Përfshirë këtu ndërprerjen e parakohshme dhe pa asnjë arsyetim të mandatit tim në Ambasadën në Shkup, vendime të njëanshme për sistemim të brendshëm, si dhe ndërhyrje të vazhdueshme që kanë cenuar drejtpërdrejt kompetencat funksionale të drejtorit të Departamentit për NATO dhe Politika të Sigurisë” ka thënë Sadriu për Insajderin.
Largimet e tilla të Sadriut nga pozitat kyçe në MPJD interpretohen si pasojë e përçarjes politike dhe prishjes së raporteve mes Presidentes, Vjosa Osmani dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.
Prishja e raporteve Osmani- Gërvalla
Ministrja e MPJD, Donika Gërvalla, ishte emëruar kryetare e “Listës Guxo”, parti kjo e themeluar nga Vjosa Osmani para se të përzgjidhet presidente e vendi.
Pas zhvillimeve politike brenda “Listës Guxo” dhe bashkëpunimit me Vetëvendosjen e Albin Kurtit, kishin filluar përparjet mes dyshes duke shprehur hapur pakënaqësi me njëra tjetër. Madje filluan edhe të hidhini “disse” përmes vargjeve të këngëve.
Përçarja e tyre duket se i ka kushtuar me pozitë bashkëshortit të Vjosa Osmanit, Prindonit i cili ishte pjesë e Ministrisë së udhëhequr nga Gërvalla.
Angazhimi i Sadritu në Departamentin e NATO’s
Prindon Sadriu në përgjigjen e tij ka dhënë informacione për kontributin e tij në departamentin e NATOS,
“Gjatë mandatit tim në krye të këtij departamenti, është bërë konsolidimi i parë real dhe funksional i tij që nga themelimi, si dhe janë arritur rezultate konkrete, ndër to:
Anëtarësimi i Kosovës pa fusnotë në koalicionin EËIPA të UNODA-s (Agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara);
Pjesëmarrja aktive në grupin G7+25 për mbështetje Ukrainës;
Angazhimi proaktiv i Kosovës në Koalicionin Global kundër Da’esh-it;
Hartimi i dokumentit IPAP për avancim të bashkëpunimit me NATO-n;
Bashkëorganizimi i konferencës për Qëndrueshmëri Kombëtare me MM dhe NALT;
Thellimi i dialogut politik me NATO-n dhe shtetet anëtare;
Rritja e pranisë së Kosovës në forume ndërkombëtare si RACVIAC, WMD, CRI, etj.;”, ka thënë ai.