Fenomeni i armëmbajtjes pa leje vazhdon të jetë një rrezik serioz për sigurinë publike në vendin tonë, sidomos kur në situata të tilla përfshihen edhe fëmijë. Shfaqja e personave të armatosur në ambiente publike e madje edhe pranë të miturve është bërë shqetësim i vazhdueshëm.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmjen e së martës në fshatin Sllatinë të Vushtrrisë, ku disa të mitur janë tronditur nga prania e një personi me armë në brez.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se mbrëmë, rreth orës 20:35, një i mitur ka raportuar se, së bashku me vëllanë dhe dy motrat e tij, ka vërejtur një person që mbante një armë në brez.
Personi i dyshuar, L.O., rreth 37-vjeçar, sipas ankuesve, është pjesë e një familjeje me të cilën kanë pasur më herët përplasje dhe prania e tij e armatosur i ka frikësuar fëmijët, të cilët janë larguar me vrap në drejtim të shtëpisë.
Policia ka ndërhyrë menjëherë dhe e ka ndaluar të dyshuarin, të cilit gjatë kontrollit në brez i është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri si dhe një sprej OC.
L.O. është arrestuar dhe intervistuar, ndërsa me vendim të prokurorit kujdestar, është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.
Rasti është nën hetime nga njësia përkatëse hetimore në Vushtrri, ndërsa autoritetet po e trajtojnë me seriozitet për shkak të përfshirjes së të miturve dhe historikut të tensionuar mes familjeve.