Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, mund të konsiderohet zyrtari më i suksesshëm i pushtetit për rehatimin e aktivistëve në institucione publike. Përkundër që nëpër debate deklaron se nuk i njeh zyrtarët e partisë në pushtet, në praktikë ka rehatuar shumë nga ta duke shpenzuar buxhetin e taksapaguesve në të mirë të anëtarëve të partisë.
Periskopi ka arritur të sigurojë dokumente se si ministri Peci është kujdesur që anëtarët e partisë së tij “Guxo” dhe të Albin Kurtit, të përfitojnë mjete jo vetëm për serra e të mbjellura, por edhe kontrata pune.
Për të fituar kontrata 36 mujore në institucione shtetërore anëtarët e Vetëvendosjes dhe Guxo, është kujdesur ministri Peci, përmes një tenderi publik, që e ka emëruar “Shërbime Konsulentë nëpërmjet marrëveshjeve shërbime të veçanta për nevoja të AZHB-së (kontroller)”.
Ky tender peshon 237 mijë e 600 euro dhe shumica nga ta që kanë fituar kontratën janë anëtarët e partisë Guxo dhe Vetëvendosje.
Nazif Nishorit, që është anëtar i kryesis së partisë Guxo në Lipjan është i përzgjedhuri i parë në mesin e 35 konkurentëve. Nishori ka fituar kontratën për 36 muaj në cilësinë e kontrollerit në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.
Për 36 muaj kontratën e ka fituar edhe Bekim Muja ish-kandidati për deputet nga Guxo i degës së Mitrovicës. Muja, që më heret kishte qenë pjesë e LDK-së kishte ndërruar parti, duke iu bashkuar Pecit, që edhe nuk është lënë pa punë. Për 36 muaj kontrata e Mujës peshon 19 mijë e 720 euro. Muja është përzgjedhur për këtë punë në mesin e 35 konkurentëve tjerë.
Pas dy anëtarëve të Guxo-së, radha është për anëtarët e Vetëvendosjes që ta marrin edhe ata kulaqin e tyre. Peci është kujdesur që edhe fituesi i radhës kontratës 36 mujore me AZHB-në të jetë nga Mitrovica, i qytetit të ministrit. Uran Duraku, që ishte anëtarësuar në Vetëvendosje në vitin 2021 ka përfituar kontrat gjithashtu 36 mujore në vlerë 18 mijë euro , sipas dojses së tenderit që e ka siguruar Periskopi.
Anëtarësimin e Durakut e kishte prezantuar Faruk Mujka me pompozitet në vitin 2021, duke konsideruar se e gjithë rinia po i bashkohet Vetëvendosjes.
I punësuari i radhës është nga qyteti i Prizrenit, që ka fituar kontratën 36 mujore, duke mos i shkuar krejt huq gara për deputet nga Guxo. Arsim Hoxhaj, që kishte garuar për deputet në listën Guxo-VV në vitin 2021, por që nuk ka arritur të bëhet deputet, mirëpo një kontrat e ka fituar së paku. Hoxhaj deri më tani është më i paguari, për 36 muaj ai do të marrë paga nga shteti 19 mijë e 656 euro sipas dosjes së tenderit. Hoxhaj ka rezultuar nga më të suskeshmit në këtë punë duke fituar kontratën me AZHB-në për ta kryer punën e kontrollorit.
Periskopi edhe në të kaluarën ka raportuar vazhdimisht rreth mënyrës së angazhimit të konsulentëve nga kjo Ministri.
Hiç më larg se në nëntorin e vitit të kaluar, Periskopi pati siguruar dokumentet ku shihet se Peci kishte angazhuar 26 konsulentë përmes prokurimit, ku buxhetit të shtetit i kushtuan afro 500 mijë euro.