Dhuna në familje vazhdon të mbetet një ndër fenomenet më shqetësuese në vendin tonë, duke përfshirë të gjitha moshat dhe raportet familjare. Një rast i tillë është raportuar së fundmi në Prishtinë, ku një grua e moshuar ka kërkuar ndihmën e Policisë, pas dhunës së vazhdueshme që thotë se po përjeton nga i biri.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se në pasditën e djeshme, rreth orës 16:30, në rrugën “Rexho Mulliqi” në Prishtinë, është shoqëruar në stacionin policor E. P., rreth 76-vjeçare e cila ka deklaruar se jeton me djalin e saj, Q.P., rreth 28-vjeçar i cili prej kohësh ushtron dhunë të vazhdueshme psikike ndaj saj.
I dyshuari është shoqëruar dhe intervistuar nga hetuesit, ndërkohë që viktima ka refuzuar trajtim mjekësor apo strehim në strehimore, duke deklaruar se do të zhvendoset përkohësisht te vajza e saj.
Ajo ka kërkuar nxjerrjen e urdhërmbrojtjes nga autoritetet.
Lidhur me rastin është konsultuar prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e procedurës, ndërsa hetuesit e dhunës në familje do ta referojnë më tej çështjen për hetime të mëtejme.