Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë pakënaqësitë e tyre kalojnë në kërcënime, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.
Një incident serioz ndaj zyrtarëve policorë ka ndodhur mbrëmjen e 4 qershorit në fshatin Korroticë e Poshtme të Gllogocit, ku një 16-vjeçar ka tentuar të godasë me veturë zyrtarët policorë dhe më pas ka ikur me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Sipas burimeve të Sinjalit, rasti ka ndodhur rreth orës 20:40, kur i dyshuari nuk ka respektuar urdhrat e ligjshëm të policisë për ndalim dhe ka drejtuar veturën e tij të tipit “Golf 3”, me ngjyrë të zezë, në drejtim të zyrtarëve policorë. Pasi ka rrezikuar jetën e tyre, i dyshuari është larguar me vrull në drejtim të panjohur.
Pas identifikimit, ai është arrestuar nga njësitë policore. Për fat të mirë, në incident nuk raportohet për persona të lënduar.
Lidhur me rastin, është konsultuar prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar nisjen e procedurës penale për veprën “Sulm ndaj personit të autorizuar zyrtar”, ndërsa ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 24 orë.