Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, është ftuar nga Prokuroria Speciale për të dhënë deklaratë lidhur me hetimet që kanë të bëjnë me hetimet në lidhje me dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore nga Ministria e Bujqësisë.
Rasti është pjesë e një hetimi të nisur nga Prokuroria Speciale që përfshin marrëveshje dhe procedura të kryera brenda kësaj ministrie, e cila aktualisht udhëhiqet nga ministri në detyrë Faton Peci.
Si u zbulua skandali i fabrikës me mbetjet shtazore?
Periskopi kishte raportuar se fabrika për përpunimin e mbetjeve shtazore, që i ka kushtuar Kosovës mbi 8 milionë euro, e që nuk ka punuar asnjë ditë, i është dhënë për shfrytëzim në mënyrë të dyshimtë një operatori ekonomik. Asetet milionëshe, pajisjet përcjellëse, kamionët, prona dhe makineria iu dhanë një kompanie ekonomike vetëm 5 ditë pasi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë shpalli tenderin – duke ngritur dyshime për një skemë korruptive, favorizimi dhe interesi.