Banorët e veriut të Mitrovicës pa ujë të pijshëm prej dy javësh – kërkojnë zgjidhje urgjente

Publikuar më:

Për më shumë se dy javë, banorët e veriut të Mitrovicës po përballen me mungesë të plotë të ujit të pijshëm, situatë që, sipas tyre, po kërcënon seriozisht shëndetin publik dhe po e bën të vështirë jetën e përditshme të qindra familjeve.

Në një komunikatë të përbashkët drejtuar në “Jepi zë”, ata theksojnë se, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të kontaktuar Ujësjellësin Rajonal dhe për të kërkuar zgjidhje, nuk kanë marrë asnjë përgjigje apo sqarim zyrtar, shkruan “Jepi zë”

“Ky është një problem serioz që po rrezikon shëndetin e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve, të moshuarve dhe të sëmurëve”, thuhet në reagim, duke e cilësuar situatën si të papranueshme dhe si shkelje të të drejtës themelore për qasje në ujë të pastër.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet komunale dhe qendrore për të rikthyer furnizimin me ujë. Në të kundërtën, paralajmërojnë se do të ndërmarrin hapa të tjerë ligjorë dhe protestues për të mbrojtur të drejtat e tyre.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë komunikatën e banorëve:

Banorët e veriut të Mitrovicës pa ujë të pijshëm për më shumë se dy javë – kërkojmë zgjidhje urgjente!

Ne, banorët e veriut të Mitrovicës, duam të njoftojmë opinionin publik dhe institucionet përgjegjëse se tashmë dy javë me radhë jemi pa ujë të pijshëm. Ky është një problem serioz që po e vështirëson jetën e përditshme të qindra familjeve dhe po rrezikon shëndetin e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve, të moshuarve dhe të sëmurëve.

Përkundër përpjekjeve tona të vazhdueshme për të kontaktuar Ujësjellësin Rajonal, për të bërë ankesa dhe për të kërkuar sqarime, nuk kemi marrë asnjë përgjigje konkrete dhe problemi vazhdon të injorohet.

Kjo situatë është e papranueshme dhe përbën shkelje të të drejtave themelore të njeriut për qasje në ujë të sigurt dhe të pastër.

Kërkojmë nga institucionet lokale, qeveritare dhe mediat që të ndërhyjnë urgjentisht për të adresuar këtë krizë dhe për të garantuar furnizim të rregullt me ujë të pijshëm.

Nëse kjo gjendje vazhdon të injorohet, jemi të detyruar të ndërmarrim hapa të tjerë ligjorë dhe protestues për të mbrojtur të drejtat tona.

Me respekt,
Banorët e Veriut të Mitrovicës

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.