Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim i Kosovës, Nenad Rashiq, dhe kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, kanë arritur marrëveshje që të mos ketë “dëbim me forcë nga shtëpitë” për 17 familjet që para rreth dy dekadash kishin ndërtuar pa leje shtëpi në fshatin Leshak në veri të Kosovës.
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës pretendon se këto shtëpi janë ndërtuar në tokën e saj dhe, përmes komunës së Leposaviqit, në fund të majit ua bëri me dije pronarëve se kishin afat deri më 28 qershor për t’i shembur ato vetë, përndryshe do ta angazhonte një kompani për rrënimin e tyre me shpenzimet e vetë pronarëve.
Ministria për Komunitete dhe Kthim, sipas një komunikate për media, nuk e kundërshton faktin se shtëpitë janë ndërtuar në tokën e MPB-së së Kosovës, por shton se do ta respektojë kërkesën e kësaj Ministrie, duke theksuar se “para së gjithash, është e rëndësishme të shfrytëzohen të gjitha mundësitë ligjore dhe administrative për të gjetur një zgjidhje në mënyrë që askush të mos jetë palë e dëmtuar”.
Nuk specifikohet se cila mund të jetë zgjidhja që do të gjendet, por thuhet se ministri Rashiq dhe kryetari Hetemi do të ofrojnë “mundësi për një zgjidhje të përhershme”.
“Më e rëndësishmja është që nuk do të ketë dëbim me forcë dhe që qytetarët tanë të mos ndihen të rrezikuar ekzistencialisht. Ne nuk do t’i lëmë, por do të angazhohemi për t’i sistemuar”, tha Rashiq, duke falënderuar Ministrinë e Punëve të Brendshme për “mirëkuptimin në një situatë komplekse”.
Radio Evropa e Lirë më 6 qershor transmetoi rrëfimet e familjeve që kanë ndërtuar shtëpitë në këtë tokë të kontestuar, të cilët deklaruan se do të “mbeten në rrugë” nëse MPB-ja e Kosovës qëndron pas vendimit për rrënimin e tyre.
Ata kërkuan që t’u mundësohet legalizimi, duke theksuar se “askush nuk po ik nga obligimet e veta”.
Pranë shtëpive të ndërtuara pa leje ndodhet edhe një stacion policie, të cilin autoritetet e Kosovës e ndërtuan në vitin 2024. Në vendosjen e gur themelit mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjë që zyrtarët në Beograd e përshkruan si “vazhdim i okupimit politik dhe policor” të veriut të Kosovës.
Leshaku, përndryshe, gjendet rreth 10 kilometra larg pikës kufitare me Serbinë, Jarinje.
Në gjithë territorin e Kosovës janë mbi 350.000 objekte të ndërtuara pa leje – prej tyre rreth 40.000 gjenden në kryeqytet – në Prishtinë.
Procesi i legalizimit është duke shkuar ngadalë, për shkak të zvarritjes së trajtimit të objekteve pa leje, por edhe për shkak të mungesës së interesimit nga vetë qytetarët.
Në gusht të vitit 2023, ligji është ndryshuar për të mundësuar shtyrjen e afatit për dorëzimin e kërkesave për legalizim deri në fund të vitit 2025.
Të gjitha objektet që nuk do të legalizohen brenda këtij afati, parashikohet të përfshihen në listën e objekteve për prishje. REL