Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka deklaruar se votimi i fshehtë përbën një standard demokratik dhe një mekanizëm thelbësor për të garantuar lirinë e deputetëve. Ai ka theksuar se Rregullorja e Kuvendit, në nenin 61.4, përcakton qartë se “votimi bëhet në mënyrë të hapur ose të fshehtë”, ndërsa Gjykata Kushtetuese, në vendimin KO119/14, i jep kësaj dispozite fuqi të plotë, duke sqaruar se forma e votimit shërben për të siguruar shprehjen e lirë dhe të pavarur të vullnetit të deputetëve.
Sipas Mujës, pretendimi i opozitës se “metoda e votimit nuk mund të ndryshohet gjatë seancës” është i pambështetur në aspektin juridik dhe i motivuar politikisht. Ai thekson se ndryshimi i metodës së votimit është një vendim procedural që lejohet për sa kohë miratohet me shumicë votash dhe se nuk ekziston asnjë dispozitë që ndalon kalimin nga votimi i hapur në atë të fshehtë brenda së njëjtës seancë parlamentare. Përkundrazi, sipas tij, kjo është një praktikë e zakonshme në parlamentet që përballen me bllokada.
Deputeti kujton se Kushtetuta e Kosovës parashikon votimin e fshehtë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës (neni 86.2), ndërsa në nivel ndërkombëtar, ai përmend praktikat e parlamenteve si Bundestagu gjerman, Këshilli i Italisë, Kongresi i Spanjës dhe Parlamenti Evropian, ku përdorimi i votimit të fshehtë për pozita të ndjeshme është rregull i zakonshëm. Qëllimi, sipas tij, është i qartë: të mbrohet vullneti i deputetëve nga presioni politik, fraksionar apo publik.
Muja e përmbyll qëndrimin e tij duke kritikuar opozitën për refuzimin e një metode të ligjshme dhe kushtetuese, duke e cilësuar këtë si një dëshmi se bllokada është qëllim në vetvete. Sipas tij, “askush që e mban Kuvendin peng për interesa të ngushta partiake nuk mund të flasë për demokraci funksionale”.