Analisti Shenoll Muharremi: Kosova ende në gjumë përballë kërcënimeve të sigurisë – urgjentisht nevojiten miliarda për mbrojtje

Publikuar më:

Analisti i njohur Shenoll Muharremi ka ngritur shqetësimin e tij lidhur me mungesën e përgatitjes mbrojtëse të Kosovës përballë kërcënimeve të mundshme të jashtme, duke e krahasuar situatën aktuale të vendit me konfliktet në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë. Ai pyet nëse Kosova ka nxjerrë ndonjë mësim nga luftërat mes Iranit dhe Izraelit, apo nga agresioni i Rusisë në Ukrainë – apo nëse ende po qëndron në gjumë përballë realiteteve të sigurisë ndërkombëtare.

Sipas Muharremit, përmes këtyre luftërave po bëhet e qartë se çfarë do të thotë një luftë e vërtetë dhe çfarë nevojitet për të mbrojtur një shtet. Duke folur për gjendjen aktuale të infrastrukturës mbrojtëse të Kosovës, ai shprehet se vendi ka vetëm disa dronë dhe asnjë sistem të mbrojtjes kundërajrore apo kundërraketore.

“Kosova sot nuk do të kishte nevojë për një sulm të sofistikuar për t’i shkatërruar kapacitetet e saj mbrojtëse, sepse ato praktikisht nuk ekzistojnë. Me dy-tri avionë luftarakë, mund të hynte kushdo në Kosovë dhe të shkatërronte infrastrukturën ushtarake”, ka theksuar Muharremi.

Ai përmend gjithashtu se edhe një sulm ndaj objektivave jetike si KEK-u apo kanali Ibër-Lepenc do ta paralizonte shtetin, duke e lënë pa energji, ekonomi dhe siguri bazike për jetën.

Në këtë kontekst, ai thekson rolin jetik që kanë luajtur NATO dhe KFOR-i në mbrojtjen e Kosovës për gati tri dekada, duke e cilësuar si përrallë çdo ide tjetër që nënvlerëson praninë dhe ndikimin e tyre.

Muharremi thekson se Kosovës i duhen së paku 3 miliardë euro investime të menjëhershme për të ngritur një infrastrukturë bazike të mbrojtjes dhe sigurisë, ndërsa për të ndërtuar një sistem të plotë dhe funksional, vendi ka nevojë për rreth 10 miliardë euro. Ai lidh këtë nevojë të madhe financiare me ekonominë vendore, duke paralajmëruar se pa një ekonomi të fortë, nuk mund të ketë as mbrojtje dhe as siguri kombëtare.

“Fatkeqësisht, në vend që të përkrahen prodhuesit dhe bizneset vendore, po bëhen përpjekje për t’i dëmtuar ato, sidomos përmes rritjes së çmimeve të energjisë që po i çojnë në kolaps,” ka shtuar ai. Sipas tij, zhvillimi ekonomik dhe përkrahja e sektorit privat duhet të konsiderohen interes kombëtar i nivelit më të lartë.

Në fund, analisti rikujton të dhënat që tregojnë për shkallën e lartë të përfshirjes së NATO-s në çlirimin e Kosovës: mbi 38 mijë fluturime ushtarake, mbi 10 mijë prej tyre sulme direkte, 421 objektiva të goditura dhe rreth 415 mijë municione të përdorura.

“Këto nuk janë shifra që duhet të harrohen apo të relativizohen në debatet ditore politike. Kosova, edhe pas 26 vitesh, nuk ka arritur të ndërtojë një ushtri funksionale apo një sistem bazik të mbrojtjes. Në vend të kësaj, vazhdon të merret me konflikte të brendshme politike dhe me goditjen e ekonomisë së vet”, ka përfunduar Muharremi.

Postimi i plotë:

A ka mësu Kosova diçka nga Irani dhe Izraeli? Apo jemi ende në gjumë si ndaj Rusisë dhe Ukrainës?

Kjo krizë e re mes Iranit dhe Izraelit ndoshta na zgjon pak nga gjumi, na zhvesh pak nga nacionalizmi, por edhe nga propaganda që është krijuar. Kur e sheh si po luftojnë atje, por edhe në Ukrainë e Rusi, e kupton se çka nevojitet për një luftë të vërtetë dhe për ta mbrojtur një shtet.

E tash Kosova, me 5-6 drona e pa asnjë sistem mbrojtës kundërajror dhe kundërraketor… a thu sa minuta mundet me i qëndru një sulmi serioz? Këtu nuk ka nevojë as për ndonjë aksion sabotazhi për me na asgjësu sistemin e mbrojtjes raketore, sepse thjesht nuk ekziston.

Pra, mundesh me hy në Kosovë si në bahçen e babës me dy-tri avionë luftarakë edhe me e shkatërru krejt infrastrukturën ushtarake. Një aksion në KEK, apo as nuk ka nevojë se vetëm kanalin Ibër-Lepenc me e shkatërru… edhe krejt shteti paralizohet, mbetet pa energji, pa ekonomi, pa bukë.

Për atë arsye duhet me e kuptu që NATO dhe KFOR-i janë këtu dhe janë duke e ruajtur sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës tash e gati tri dekada. Krejt të tjerat janë përralla. Dhe kjo duhet të jetë një thirrje për vetëdijësim dhe përgjegjësi për me zhvillu infrastrukturën mbrojtëse.

Neve na duhen minimum 3 miliardë euro investime urgjente për me kriju një kornizë modeste bazike të mbrojtjes dhe sigurisë për luftë të vërtetë. E pastaj, deri në 10 miliardë euro, na duhen për me e kompletu mbrojtjen që me u ndje të sigurt edhe pa NATO-n dhe KFOR-in.

Po çka po ndodh këtu? Po i sulmojnë dhe po dojnë me i shkatërru bizneset dhe prodhuesit vendorë, duke i qitë në rrugë e në mal me çmime të energjisë tri-katër fish më të larta. Kështu, pa biznese të forta e pa ekonomi të fuqishme, nuk ka as mbrojtje e as siguri kombëtare, sepse ato blehen me miliarda, dhe ato miliarda duhet ekonomia me i gjeneru e me i fitu.

Për këtë arsye, përkrahja për bizneset tona dhe për zhvillimin ekonomik është interes thelbësor kombëtar.

Përndryshe, mirë është me ja rikujtu vetes disa fakte. Për me e çliru Kosovën, SHBA-të dhe aleatët tjerë, përfshirë Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe shumë vende tjera, kanë zhvillu:

-38,004 fluturime me avionë gjatë intervenimit të NATOs
-Prej tyre 10,484 kanë qenë sulme të drejtpërdrejta
-Kanë goditur 421 objektiva
-E janë përdorur rreth 415,000 municione të ndryshme

Këto gjëra nuk janë hajgare, as nuk bëhet politikë ditore me to. Me qenë pak më të zgjuar, deri tash, pas 26 vitesh, do ta kishim ndërtuar të paktën një ushtri funksionale, kapacitete bazike mbrojtëse, infrastrukturë dhe teknologji që me mujt me u mbrojtë.

Po as këtë nuk e kemi bërë, sepse kemi qenë të zënë me gjithçka tjetër. Kohëve të fundit jemi të zënë me bllokimin e Parlamentit, ndërsa ndërkohë ekonomia po na shkatërrohet dhe po sulmohet. Bota po digjet, Kosova po e bllokon Parlamentin dhe po e godet ekonominë e vet.

JU REKOMANDOJMË

Jepize.com
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.