Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), e konsideron si të papranueshme dhe e dënon fuqishëm fjalorin e ministrit në detyrë të Bujqësisë, deputetit Faton Peci kundër autorit të emisionit “Debat Plus” në TV Dukagjini, Ermal Panduri.
Në një postim në Facebook, Peci e ka quajtur Pandurin “qelbësirë”, dhe ka ngritur hamendësime për pozicionin e tij ekonomik. AGK-ja konsideron se kjo është një sjellje e ultë dhe e dëmshme nga një zyrtar i lartë publik.
AGK-ja e fton zotin Peci që të ofrojë në mënyrë transparente përgjigje për raportimet rreth keqpërdorimeve të pretenduara në Ministrinë që ka udhëhequr në 4 vitet e fundit.
AGK-ja e fton Pecin dhe zyrtarët e tjerë të partisë politike, Vetëvendosje që të heqin dorë nga praktika e sulmeve dhe denigrimit të gazetarëve, për shkak të punës dhe raportimit të tyre.