Serbi që prodhon kriptovaluta në veri: Këtu s’paguajmë rrymë prandaj pse mos t’i prodhoj

Publikuar më:

Dragani (identiteti i vërtetë i të cilit është i njohur për redaksinë) nga veriu i Kosovës planifikon të ndalë makinat e tij të prodhimit të kriptovalutave për një kohë, nga të cilat fiton rreth 2 mijë euro në muaj.

Ai thotë se ka vendosur kështu pas vendimit të 4 janarit të Qeverisë së Kosovës, i cili ndalon prodhimin e kriptovalutave në tërë territorin e Kosovës, për shkak të krizës me energji elektrike.

Pajisjet që prodhojnë kriptovaluta konsumojnë sasi të madhe të energjisë elektrike.

“Nuk do të ishte e këndshme nëse ata vijnë dhe marrin këto pajisje në vlerë rreth 20-30 mijë eurosh”, thotë Dragani.

Dragani ka katër vjet që merret me prodhimin e kriptovalutave. Ai ka gjithsej shtatë pajisje në tarracën e banesës së tij. Disa thotë se janë të reja, e disa të përdorura i ka blerë “nga shqiptarët”.

“Kam llogaritur, e gjithë bota po prodhon (kriptovaluta), po paguan energjinë elektrike. Ne këtu nuk paguajmë rrymë, kështu që pse mos t’i prodhoj”, thotë ai.

Më herët, tregon ai, faturat mujore të energjisë elektrike nga institucioni serb (Elektrokoorporata e Serbisë) arrinin deri në 230 euro, por muajt e fundit, ai nuk e di se sa shpenzon pasi faturat nuk i vijnë fare.

Sipas tij, në komunat në veri të Kosovës ka një numër të madh të njerëzve që prodhojnë kriptovaluta.

“Shumica dërmuese kanë një pajisje në shtëpi”, thotë Dragani.

“Ju investoni 3-4 mijë euro dhe kjo të sjellë fitim prej rreth 300 eurosh në muaj”, shton ai.

Dragani tregon se kur filloi të merrej me prodhimin e kriptovalutave, vlera e Bitcoin-it, një prej llojeve të kriptovalutave, ishte e mirë, por pastaj ra. Ai shton se megjithatë, “Bitcoin tani është rritur, kështu që fitimet janë shumë të mira”.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar të martën, më 4 janar, se institucionet kompetente do të angazhohen që të ndalojnë prodhimin e kriptovalutave, pasi dyshohet se pajisjet me të cilat prodhohen ato, shkaktojnë konsum të lartë të energjisë elektrike.

Radio Evropa e Lirë ka provuar të marrë një koment nga Ministria e Ekonomisë se si do të identifikohen prodhuesit e kriptovalutave, por zyrtarë të kësaj ministrie nuk janë përgjigjur.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Kosovës, Besim Hoti, thotë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave vlen për të gjithë personat juridikë dhe fizikë.

“Tani si do të jetë urdhri dhe çfarë do të jenë masat, do ta shohim në vazhdim”, thotë Hoti.

Sipas tij, deri më tani prodhimi i kriptovalutave nuk ka qenë vepër penale, pasi nuk është paraparë me ligj.

“Kemi dashur të iniciojmë raste edhe më herët. Këtë e kemi kërkuar nga Prokuroria. Kemi kërkuar që të iniciohen rastet, nëse për asgjë tjetër, për të përmirësuar furnizimin me energji elektrike. Por, nuk kishte asnjë bazë ligjore për këtë. Vendimi tani ndryshon situatën. Unë besoj se opinioni tani ka informacion për këtë dhe do të shohim se si do të veprojmë për këtë”, thotë Hoti.

JU REKOMANDOJMË