Kryetari i Këshillit të Fshatit Kçiq i Madh, Fatmir Salihu, ka reaguar ashpër ndaj iniciativës së qeverisjes lokale të udhëhequr nga Faton Peci për dhënien në shfrytëzim të një prone komunale për veprimtari gurthyese.
Përmes një reagimi publik, Salihu e ka cilësuar këtë propozim-vendim si të papranueshëm, duke kujtuar dëmet që, sipas tij, gurthyesi i kishte shkaktuar fshatit në të kaluarën.
“Kjo nismë për në Kuvendin Komunal të Mitrovicës nga qeverisja lokale është e papranueshme, sepse të gjithë e dimë dëmin që veprimtaria e gurthyesve i ka shkaktuar dhe mund t’i shkaktojë edhe më tej fshatit tonë”, ka shkruar ai.
Sipas Salihut, pasojat nuk kufizohen vetëm në ndotjen e mjedisit, por prekin drejtpërdrejt shëndetin e banorëve, cilësinë e jetës, tokat bujqësore, burimet natyrore, rrugët lokale dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit.
Ai i ka bërë thirrje Komunës së Mitrovicës që ta tërheqë këtë iniciativë dhe të mos ndërmarrë, siç është shprehur ai, veprime që rrezikojnë të ardhmen e fshatit.
Në fund të reagimit, kryetari i Këshillit të Fshatit ka ftuar banorët e Kçiqit të Madh të qëndrojnë të bashkuar në mbrojtje të interesit të përbashkët.
“Zëri ynë duhet të dëgjohet, sepse fshati ynë nuk duhet të bëhet viktimë e vendimeve që sjellin pasoja afatgjata për gjeneratat e sotme dhe ato që do të vijnë”, ka përfunduar Salihu.








