Asamblisti i PDK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, Valon Brahimi, ka reaguar ndaj një propozim-vendimi të ekzekutivit komunal, përmes të cilit, sipas tij, po synohet t’i jepet në shfrytëzim një pronë komunale për veprimtari të gurthyesit në fshatin Kçiq i Madh, shkruan “Jepi zë”.
Përmes një postimi publik, Brahimi ka bërë të ditur se çështja është paraqitur në Komitetin për Politikë dhe Financa pa paralajmërim, duke theksuar se ai dhe asamblistët e PDK-së e kanë kundërshtuar ashpër këtë propozim.
Ai ka rikujtuar se gurthyesi kishte shkaktuar dëme në të kaluarën për banorët e Kçiqit dhe ka paralajmëruar se do ta kundërshtojë sërish edhe në mbledhjen e Kuvendit Komunal.
“Na jemi të vetëdijshëm nga e kaluara për dëmet që i ka shkaktuar gurthyesi fshatit tonë dhe po ashtu jemi të vetëdijshëm për pasojat e tjera që do t’i shkaktoheshin fshatit tonë. Së bashku me kolegët asamblistë nga PDK e kundërshtuam ashpër dhe të njëjtën gjë do ta bëjmë edhe në seancën e Kuvendit Komunal”, ka shkruar Brahimi.
Ai u ka bërë thirrje banorëve të Kçiqit që të jenë të informuar dhe të reagojnë lidhur me këtë çështje, duke theksuar se “Kçiqin duhet ta ruajmë të gjithë së bashku”.






