Pavarësisht se pati premtime të vazhdueshme për ulje të importit me Serbinë, të dhënat e fundit për 6-mujorin e këtij viti e dëshmojnë të kundërtën.
Të dhënat e Doganës së Kosovës, të analizuara nga Gazeta Infokus, tregojnë se vetëm gjatë periudhës janar–qershor 2026, Kosova ka importuar mallra nga Serbia në vlerë prej 112 milionë e 301 mijë e 046 euro.
Analiza e të dhënave tregon se importet nga Serbia nuk kufizohen vetëm në lëndë të para apo produkte industriale, por përfshijnë edhe produkte ushqimore bazë, barna, pije, materiale ndërtimore dhe mallra të përdorimit të përditshëm, të cilat vazhdojnë të zënë vend në tregun e Kosovës.
Shifrat tregojnë se trendi i importeve nga Serbia nuk ka ndryshuar as gjatë këtij viti. Gjatë vitit 2025, Kosova importoi mallra nga Serbia në vlerë prej rreth 234 milionë eurosh, ndërsa vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2026 kjo shifër ka arritur tashmë në 112,301,046.17 euro. Nëse ritmi aktual i importeve vazhdon edhe në gjysmën e dytë të vitit, vlera e mallrave të importuara nga Serbia pritet t’i afrohet sërish nivelit të vitit të kaluar, madje ka rrezik edhe ta kalojë. Kjo tregon se, pavarësisht zhvillimeve politike dhe deklarimeve e premtimeve politike për uljen e varësisë ekonomike, tregu i Kosovës vazhdon të mbështetet në një masë të konsiderueshme në produktet që vijnë nga Serbia.
Si u ndanë në muaj 112 milionët e importit nga Serbia?
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, importet nga Serbia sipas muajve kanë qenë:
Janar – 10,368,099.17 euro
Shkurt – 17,459,294.75 euro
Mars – 21,215,927.85 euro
Prill – 21,909,101.15 euro
Maj – 20,631,359.25 euro
Qershor – 20,717,264.00 euro
Shifrat tregojnë se pas janarit, importet kanë mbetur vazhdimisht mbi 17 milionë euro në muaj, ndërsa në muajt prill, maj dhe qershor kanë kaluar kufirin e 20 milionë eurove.
Kosova vazhdon të ushqehet me misër dhe grurë nga Serbia
Analiza e Gazeta Infokus nxjerr në pah se produktet me vlerën më të madhe të importuara nga Serbia janë:
Kontejnerë alumini (fuçi, bidonë dhe ambalazh metalik) – 8,518,875.18 euro
Misër – 6,849,416.86 euro
Ushqime të tjera për kafshë – 5,090,866.01 euro
Grurë – 3,399,654.43 euro
Pije freskuese – 3,049,922.70 euro
Preparate me veprim sipërfaqësor (produkte kimike) – 2,949,492.99 euro
Biskota të ëmbla – 2,947,300.92 euro
Medikamente – 2,873,749.89 euro
Pllaka çatie – 2,276,268.20 euro
Pllaka zdrukthi (melaminë) – 2,268,012.63 euro
Kjo listë tregon se importet nuk dominohen vetëm nga një sektor, por shtrihen në industri, bujqësi, ndërtim, farmaci dhe produkte ushqimore.
Nga ushqimet bazë te barnat – produktet që përfundojnë çdo ditë në tregun e Kosovës
Përtej produkteve me vlerën më të lartë, analiza evidenton edhe mallra që prekin drejtpërdrejt konsumatorin kosovar.
Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit nga Serbia janë importuar:
Misër – 6,849,416.86 euro
Ushqime për kafshë – 5,090,866.01 euro
Grurë – 3,399,654.43 euro
Pije freskuese – 3,049,922.70 euro
Biskota të ëmbla – 2,947,300.92 euro
Medikamente – 2,873,749.89 euro
Pllaka çatie – 2,276,268.20 euro
Vaj luledielli i rafinuar – 2,220,451.16 euro
Pllaka zdrukthi (melaminë) – 2,268,012.63 euro
Vaj luledielli i papërpunuar – 2,137,360.16 euro
Lista dëshmon se një pjesë e konsiderueshme e importeve përbëhet nga produkte që përdoren çdo ditë nga qytetarët ose nga bizneset në Kosovë, duke treguar se, pavarësisht zhvillimeve politike ndër vite, varësia tregtare nga Serbia vazhdon të jetë e pranishme në shumë sektorë të ekonomisë.
Importet vazhdojnë të mbeten të larta
Të dhënat e analizuara nga Gazeta Infokus tregojnë se Serbia mbetet një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Kosovës për import. Në vetëm gjashtë muaj, vlera e mallrave të importuara ka kaluar 112 milionë euro, ndërsa në mesin e tyre dominojnë si lëndët e para për industri, ashtu edhe produkte që gjenden çdo ditë në raftet e marketeve, farmacive dhe sektorit të ndërtimit.
Këto shifra rikthejnë në vëmendje varësinë e ekonomisë së Kosovës nga importi dhe nivelin e lartë të mallrave që vazhdojnë të hyjnë nga Serbia, pavarësisht historikut të marrëdhënieve politike dhe masave tregtare të viteve të fundit.








