Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka lëshuar paralajmërim meteorologjik të nivelit portokalli për të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, i vlefshëm për 22 korrik 2026, nga ora 00:00 deri në 23:59.
Sipas IHMK-së, gjatë së mërkurës priten zhvillime të fuqishme konvektive që do të sjellin stuhi lokale me bubullima, të shoqëruara në disa rajone me reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta me karakter stuhish.
Instituti paralajmëron se kushtet atmosferike mund të shkaktojnë pasoja të shumta, përfshirë rrezik të lartë nga goditjet e rrufesë për njerëzit dhe kafshët, dëmtime në rrjetin elektroenergjetik me ndërprerje të energjisë elektrike, pengesa në telekomunikacion, përmbytje të shpejta lokale, si dhe dëmtime në objekte, automjete, infrastrukturë dhe kultura bujqësore nga breshëri dhe erërat e forta.
Po ashtu, ekziston rrezik i shtuar për shpërthimin e zjarreve si pasojë e shkarkimeve atmosferike.
IHMK u bën thirrje qytetarëve të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë stuhive, të mos strehohen nën pemë të vetmuara apo pranë shtyllave elektrike dhe objekteve metalike, të mbrojnë automjetet dhe pronën nga breshëri, si dhe të kenë kujdes të shtuar në komunikacion për shkak të dukshmërisë së reduktuar dhe rrugëve të rrëshqitshme.






