Familjari i tre mërgimtarëve vushtrrias: U futën në një rrugë pa krye, nuk kishte asnjë shenjë paralajmëruese

Publikuar më:

Flamur Beqiri, familjar i tre qytetarëve nga Vushtrria që humbën jetën në aksidentin tragjik pranë pikëkalimit kufitar Hani i Elezit–Bllacë, në territorin e Maqedonisë së Veriut, ka dhënë detaje të reja rreth ngjarjes.

Në një intervistë për T7, Beqiri bëri të ditur se Ejup Tërnava, së bashku me bashkëshorten Cennet Tërnava, kishin shkuar në Aeroportin e Shkupit për ta marrë Fatmire Shabanin. Sipas tij, kontakti i fundit me ta ishte regjistruar nga kamerat e sigurisë rreth orës 22:38, ndërsa më pas çdo gjurmë e tyre humbi.

Ai tha se automjeti kishte hyrë gabimisht në një rrugë pa krye, gjë që, sipas tij, çoi në aksidentin fatal. Beqiri shtoi se për shkak se askush nuk dyshonte se vetura kishte përfunduar në atë zonë, kërkimet fillimisht u orientuan në drejtime të tjera.
Sipas tij, vetëm pas disa orësh kërkime, Policia e Maqedonisë së Veriut arriti ta lokalizojë automjetin, ku u gjetën pa shenja jete të tre personat.

Në intervistën për T7, Beqiri ngriti dyshime se mungesa e sinjalistikës rrugore mund të ketë qenë një nga faktorët që çuan në tragjedi.
“Nuk kishte asnjë shenjë paralajmëruese që rruga ishte pa krye. Kam qenë ndër të parët që kam shkuar në vendin e ngjarjes dhe nuk pashë asnjë sinjalistikë”, deklaroi ai.
Rrethanat e plota të aksidentit mbeten nën hetim nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.

JU REKOMANDOJMË