Sipas EFJ-së, anëtarët dhe zyrtarët e partisë në pushtet janë ndër autorët kryesorë të kërcënimeve verbale dhe përpjekjeve për frikësim ndaj profesionistëve të mediave. Raporti thekson se kjo retorikë ka krijuar një ambient gjithnjë e më armiqësor për gazetarët dhe ka dëmtuar sigurinë e ushtrimit të profesionit.
“Disa standarde të lirisë së mediave janë cenuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje”.
Kështu thuhet në raportin e Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), në raportin e publikuar këtë të hënë për lirinë e medias në Kosovë, i cili është hartuar pasi një vizite dy ditore në Kosovë.
“Delegacioni arrin në përfundimin se, ndonëse Kosova ka një peizazh mediatik pluralist, nivele të ulëta të dhunës fizike ndaj gazetarëve dhe një kornizë legjislative gjerësisht të harmonizuar me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, liria e mediave në Kosovë ka shënuar qartazi një periudhë të rënies”, thuhet në raport.
Si faktorë kyç që qëndrojnë pas këtij vlerësimi, sipas EFJ-së janë “shtimi i vazhdueshëm i sulmeve verbale dhe denigrimit të gazetarëve nga politikanë të partisë në pushtet”, miratimi nga Kuvendi i Ligjit për Komisionin e Pavarur për Media (ligjit për media) – i cili më pas u shpall antikushtetues – “që do të rriste kontrollin politik mbi KPM, financimi i pamjaftueshëm dhe presionet ndaj Radio Televizionit të Kosovës (RTK)”.
“Si rezultat, nga një nivel i qëndrueshëm i lirisë së mediave në një vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian vendi ka kaluar në një periudhë përkeqësimi gjatë tri viteve të fundit, e nxitur kryesisht nga faktorë politikë. Kosova, e renditur në vendin e 84-të nga 180 shtete në Indeksin Botëror të Lirisë së Mediave të RSF-së për vitin 2026, ka shënuar rënie për 28 vende që nga viti 2023”.
Këto zhvillime, theksohet aty, “e kanë cenuar trajektoren e mëparshme pozitive të Kosovës për lirinë e shtypit dhe zhvillimin e mediave që nga pavarësia e vendit në vitin 2008”. “Kjo e ka dëmtuar statusin e saj si një lider rajonal për lirinë e mediave në procesin e anëtarësimit në BE dhe prandaj nevojitet vullnet i vazhdueshëm politik për adresimin e kësaj situate”.
Një faktor kryesor që ka ndikuar në konkluzionet e organizatave pjesëmarrëse në mision, theksohet se është “përkeqësimi i klimës për sigurinë e gazetarëve në Kosovë, veçanërisht për shkak të rritjes së nivelit të denigrimit verbal dhe stigmatizimit të profesionistëve të mediave nga politikanë të nivelit të lartë, shpesh nga radhët e partisë në pushtet, gjë që po ka ndikim toksik si në diskursin publik, ashtu edhe në sigurinë e profesionit”.
Gazetarët dhe profesionistët e mediave në Kosovë, EFJ konstaton se “punojnë në një mjedis gjithnjë e më armiqësor”.
“Edhe pse numri i sulmeve fizike ka rënë pas rritjes së regjistruar në vitin 2023, fushatat e shpifjes, ngacmimet dhe kërcënimet verbale janë në rritje, shpesh të iniciuara nga politikanë të rangut të lartë, dhe kanë pasoja serioze për reputacionin dhe sigurinë e gazetarëve”.
Presioni politik dhe fushatat e shpifjes mbeten ndër kërcënimet kryesore ndaj gazetarisë së lirë dhe të pavarur, theksohet në raport.
“Informatat e mbledhura gjatë misionit të marsit 2026 dhe të dhënat e monitorimit tregojnë se politikanët dhe anëtarët e partisë në pushtet Vetëvendosje janë ndër autorët kryesorë të kërcënimeve verbale dhe frikësimit”.
Një burim tjetër shqetësimi, EFJ thotë se është sjellja e ekipit të mbrojtjes së afërt të Kryeministrit, “që në disa raste i ka shtyrë me forcë gazetarët, duke penguar qasjen e tyre në informacion dhe aftësinë e tyre për të bërë punën e tyre”.
“Gjatë një takimi me delegacionin, Kryeministri minimizoi shqetësimet në lidhje me sigurinë e gazetarëve dhe nuk e pranoi seriozitetin e situatës”, theksohet aty.
Delegacioni, thuhet në raport, i bëri thirrje Kryeministrit dhe partisë së tij që të përmbahen nga përdorimi i gjuhës përçmuese kundër gazetarëve dhe profesionistëve të mediave, duke i nxitur që të japin një shembull pozitiv për shoqërinë në tërësi.
Por, potencojnë se Kryeministri “nuk bëri asnjë zotim konkret, duke i përforcuar kështu shqetësimet se marrëdhëniet midis institucioneve qeveritare dhe medias janë bërë gjithnjë e më të tensionuara”.
Tek pjesa e rekomandimeve, EFJ ka thënë se Kryeministri në detyrë dhe Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, “duhet të përmbahet nga përdorimi, miratimi ose nxitja e gjuhës ose retorikës kundër mediave”.
“Kryeministri në detyrë duhet t’u dërgojë më tej një mesazh të qartë anëtarëve dhe mbështetësve të tij se abuzimi verbal kundër gazetarëve, mediave dhe aktivistëve të shoqërisë civile është akt i papranueshëm”, thuhet ndër të tjera në raport.











