Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Visar Korenica ka bërë një rrëfim prekës për betejën shumëvjeçare të Urtinës me kancerin, duke bërë të ditur se ajo po përballet me sëmundjen për herë të katërt brenda katër viteve.
Ai ka falënderuar Ministrinë për mbështetjen e dhënë në fillim të trajtimit, kur Urtina u dërgua në Turqi për shkak se terapia nuk ofrohej në Kosovë, si dhe shtetin francez, i cili ka mundësuar vazhdimin e trajtimit deri më sot.
Korenica ka shprehur mirënjohje edhe për të gjithë qytetarët që kanë mbështetur Urtinën me lutje, vizita, telefonata dhe ndihma financiare, duke theksuar se nisma për fondin e trajtimit ka ardhur nga rrethi familjar dhe miqësor për t’i dhënë asaj çdo mundësi për të vazhduar luftën për jetën.
Rrëfimi i plotë:
Ka beteja që nuk zgjidhen brenda një dite, një muaji apo një viti.
Beteja e Urtinës ka hyrë në vitin e katërt. Brenda këtyre katër viteve, ajo është detyruar të përballet plot katër herë me kancerin. Katër herë është rrëzuar dhe katër herë është ngritur për të vazhduar luftën për jetën.
Sot, me zemër plot mirënjohje, falënderojë Ministrinë për mbështetjen e dhënë herën e parë, kur Urtinës iu mundësua trajtimi në Turqi pasi i njëjti trajtim nuk kryhej në Kosovë. Falënderojë nga zemra edhe shtetin e Francës, i cili ka bërë të mundur trajtimin e saj deri më sot.
Një falënderim i pafund shkon për çdo njeri që gjatë këtyre viteve nuk e harroi Urtinën. Për ata që e mbështetën me lutje, fjalë zemre, vizita, telefonata e kontribut financiar. Në momentet më të vështira, ju i dhatë familjes sonë forcë për të mos u dorëzuar.
Shumë me kanë pyetur për fondin e trajtimit. Dëshirojë të sqarojë se kjo nismë ka lindur nga rrethi familjar dhe miqësor, me një qëllim të vetëm, t’i japim Urtinës çdo mundësi për të vazhduar luftën e saj.
Nesër, nga ShBA, pritet të arrijë një terapi me vlerë rreth 30 mijë euro. Kjo terapi është një dritë e re shprese. Por rrugëtimi nuk përfundon këtu. Pasi Urtina ta përballojë këtë fazë dhe ta marrë veten, e pret një trajtim tjetër, kostoja e të cilit kalon 120 mijë euro terapi.
Kjo nuk është vetëm beteja jonë. Është një betejë që na ka bashkuar të gjithëve rreth një shprese, që Urtina ta fitojë jetën.
Faleminderit secilit prej jush që keni qenë pranë nesh. Faleminderit për çdo lutje, çdo fjalë inkurajimi dhe çdo gjest solidariteti. Vazhdoni të luteni për Urtinën. Besojmë se me ndihmën e Zotit, me dashurinë e njerëzve dhe me forcën e saj të jashtëzakonshme, kjo betejë do të ketë fundin që të gjithë e dëshirojmë.
Zoti ju shpërbleftë të gjithëve për zemrën dhe humanizmin tuaj.









