Policia e Kosovës në tri raste të ndara, në shtëpi të pabanuara, ka gjetur dhe sekuestruar sasi të ndryshme municioni, armë dhe pajisje të dyshuara ushtarake.
Në rastin e parë, në objekt janë gjetur dhe konfiskuar 432 fishekë të kalibrit 7.62 mm, si dhe 18 fishekë të kalibrit të panjohur. Lidhur me këtë rast është njoftuar prokurori kompetent dhe është iniciuar procedura hetimore.
Në rastin e dytë, policia ka gjetur dhe sekuestruar 204 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 56 gëzhoja, një bajonetë, një maskë ushtarake si dhe tri pajisje ushtarake për ushqim.
Edhe për këtë rast është njoftuar prokuroria, e cila ka urdhëruar fillimin e hetimeve.
Ndërsa në rastin e tretë, janë konfiskuar një pushkë ajrore, 31 fishekë dhe disa para të vjetra me origjinë jugosllave.
Edhe ky rast është duke u trajtuar nga njësitë relevante policore në koordinim me prokurorinë.
Të gjitha rastet janë duke u hetuar për të sqaruar origjinën e armëve, municionit dhe pajisjeve të gjetura, si dhe për të identifikuar personat e mundshëm të përfshirë.
Këto nuk janë rastet e vetme, pasi kohëve të fundit Policia e Kosovës është duke hasur në një numër të shtuar të rasteve të ngjashme ku po zbulohen armë, municion dhe pajisje të ndryshme të dyshuara në lokacione të ndryshme.







