Një ngjarje e veçantë është zhvilluar në majën më të lartë të Kosovës, Gjeravicë, ku 273 të rinj e të reja kanë realizuar një ngjitje masive të organizuar nga klubi alpin PBA Peak Bound.
Ngjitja, e zhvilluar gjatë natës, ka krijuar një pamje të rrallë në bjeshkë, ndërsa organizatorët e kanë cilësuar si një nga aktivitetet me pjesëmarrjen më të madhe të regjistruar ndonjëherë në këtë zonë.
Sipas organizatorëve, përveç aspektit sportiv dhe aventurës malore, aktiviteti ka mbartur edhe një mesazh simbolik, duke iu kushtuar ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.
Pjesëmarrësit janë shprehur se çdo hap drejt majës ka qenë i mbushur me emocione, duke e kthyer ngjitjen në një moment reflektimi dhe kujtese për sakrificën e atyre që, sipas tyre, kanë kontribuar për lirinë e vendit.
Për sigurinë dhe mbarëvajtjen e aktivitetit është angazhuar një ekip organizues i përbërë nga disa anëtarë të klubit, të cilët janë vlerësuar për koordinimin e këtij aktiviteti masiv.
Organizatorët e kanë përmbyllur ngjarjen duke e cilësuar si një dëshmi të bashkimit të rinisë rreth sportit, natyrës dhe aktiviteteve kolektive me karakter pozitiv.
“273 pjesëmarrës, një majë dhe një qëllim”, ishte mesazhi përmbyllës i organizatorëve pas përfundimit të ngjitjes.








