
Në intervistë për faqen e Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, Dr. Albert Miftari, specialist i Kirurgjisë Abdominale, flet për sëmundjet më të shpeshta që trajtohen në repart, simptomat që nuk duhen neglizhuar, rëndësinë e paraqitjes së hershme te mjeku dhe përdorimin e metodave moderne kirurgjikale.
𝐂𝐢𝐥𝐚𝐭 𝐣𝐚𝐧𝐞 𝐩𝐚𝐭𝐨𝐥𝐨𝐠𝐣𝐢𝐭𝐞 𝐝𝐡𝐞 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐡𝐲𝐫𝐣𝐞𝐭 𝐤𝐢𝐫𝐮𝐫𝐠𝐣𝐢𝐤𝐞 𝐚𝐛𝐝𝐨𝐦𝐢𝐧𝐚𝐥𝐞 𝐦𝐞 𝐭𝐞 𝐬𝐡𝐩𝐞𝐬𝐡𝐭𝐚 𝐪𝐞 𝐭𝐫𝐚𝐣𝐭𝐨𝐡𝐞𝐧 𝐧𝐞 𝐫𝐞𝐩𝐚𝐫𝐭?
𝐃𝐫.𝐀𝐥𝐛𝐞𝐫𝐭 𝐌𝐢𝐟𝐭𝐚𝐫𝐢: Në Repartin Kirurgjisë trajtohet një gamë e gjerë e patologjive abdominale. Ato mund t’i ndajmë në elektive dhe urgjente. Vetëm në 5-mujorin e parë të këtij viti, në repartin tonë janë kryer në bashkëpunim me anesteziologët dhe stafin përcjellës mbi 300 operacione.
Prej rasteve elektive më të shpeshta që trajtohen në repartin tonë janë: kolecistektomitë, hernitë e murit të abdomenit dhe ato intraabdominale, tumoret e TGI-së (lukth, zorrë e hollë, kolon, rektum), tumoret e kavitetit abdominal, patologjitë anorektale (hemoroidet, fistulat, fisurat), defektet e murit të barkut (abdominoplastika), tumoret e gjirit etj.
Prej rasteve urgjente më të shpeshta përmendim: apendektomitë, perforacionet e organeve kavitare, ileuset (bllokimet mekanike, torzionet e TGI-së), gangrenat e zorrëve (inkarcerimet, torzionet e zorrëve) dhe një pjesë e traumave.
𝐂𝐢𝐥𝐚𝐭 𝐬𝐢𝐦𝐩𝐭𝐨𝐦𝐚 𝐧𝐮𝐤 𝐝𝐮𝐡𝐞𝐧 𝐧𝐞𝐠𝐥𝐢𝐳𝐡𝐮𝐚𝐫 𝐧𝐠𝐚 𝐩𝐚𝐜𝐢𝐞𝐧𝐭𝐞𝐭?
𝐃𝐫.𝐀𝐥𝐛𝐞𝐫𝐭 𝐌𝐢𝐟𝐭𝐚𝐫𝐢:Simptomat që nuk duhen neglizhuar kurrë janë: dhimbja e fortë e papritur, e vazhdueshme e barkut (që zgjat më shumë se 6 orë te një trup më parë i shëndetshëm), muri i barkut i fortë „si dërrasë“, mundimi, vjellja (me ngjyrë të zezë, që kundërmon erë të keqe), temperatura, mungesa e jashtëqitjes dhe e gazrave, gjakderdhjet nga TGI-së, humbjet e papritura në peshë, anemia, zverdhja e lëkurës dhe e mukozave të dukshme.
𝐊𝐮𝐫 𝐫𝐞𝐤𝐨𝐦𝐚𝐧𝐝𝐨𝐡𝐞𝐭 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐡𝐲𝐫𝐣𝐚 𝐤𝐢𝐫𝐮𝐫𝐠𝐣𝐢𝐤𝐚𝐥𝐞 𝐚𝐛𝐝𝐨𝐦𝐢𝐧𝐚𝐥𝐞 𝐝𝐡𝐞 𝐚 𝐤𝐚 𝐫𝐚𝐬𝐭𝐞 𝐤𝐮𝐫 𝐩𝐫𝐨𝐛𝐥𝐞𝐦𝐢 𝐦𝐮𝐧𝐝 𝐭𝐞 𝐭𝐫𝐚𝐣𝐭𝐨𝐡𝐞𝐭 𝐩𝐚 𝐨𝐩𝐞𝐫𝐚𝐜𝐢𝐨𝐧?
𝐃𝐫.𝐀𝐥𝐛𝐞𝐫𝐭 𝐌𝐢𝐟𝐭𝐚𝐫𝐢: Ndërhyrjet kirurgjikale abdominale rekomandohen kur patologjitë abdominale nuk mund të trajtohen me barna apo me metoda të tjera konservative, kur ekziston rreziku për komplikime serioze ose kur kemi dëmtim akut të organeve abdominale.
Megjithatë, jo çdo problem abdominal përfundon me operacion. Ka disa raste kur trajtohen në mënyrë konservative me antibiotikë, infuzione, regjim terapeutik dhe monitorim rigoroz në spital. Këtu përmendim: pankreatitet e lehta, subileuset (pengesat funksionale të zorrëve), divertikulitet e pakomplikuara, sëmundjet inflamatore të zorrëve (M. Crohn, Koliti Ulçeroz).
𝐒𝐚 𝐞 𝐫𝐞𝐧𝐝𝐞𝐬𝐢𝐬𝐡𝐦𝐞 𝐞𝐬𝐡𝐭𝐞 𝐩𝐚𝐫𝐚𝐪𝐢𝐭𝐣𝐚 𝐧𝐞 𝐤𝐨𝐡𝐞 𝐭𝐞𝐤 𝐤𝐢𝐫𝐮𝐫𝐠𝐮 𝐝𝐡𝐞 𝐜̧𝐟𝐚𝐫𝐞̈ 𝐤𝐨𝐦𝐩𝐥𝐢𝐤𝐢𝐦𝐞𝐬𝐡 𝐦𝐮𝐧𝐝 𝐭𝐞 𝐬𝐣𝐞𝐥𝐥𝐞 𝐯𝐨𝐧𝐞𝐬𝐚 𝐧𝐞 𝐭𝐫𝐚𝐣𝐭𝐢𝐦?
𝐃𝐫.𝐀𝐥𝐛𝐞𝐫𝐭 𝐌𝐢𝐟𝐭𝐚𝐫𝐢:Koha në kirurgji është esenciale. Paraqitja e hershme nënkupton diagnozë të saktë, operacion më të lehtë dhe rikuperim më të shpejtë.
Vonesa e trajtimit mund të çojë në komplikime të rënda si: perforacioni i organit të infektuar (p.sh. apendicit ose zorrë e qorrë), ku për pasojë kemi infeksionin e të gjithë hapësirës abdominale duke rrezikuar jetën e pacientit përmes sepsës; te hernitë e vonuara kemi bllokim (inkarcerim) të zorrëve, me pasojë ndërprerjen e qarkullimit të gjakut që çon në vdekjen e indit të zorrës; te patologjitë e tumoreve të TGI-së, moslajmërimi me kohë nënkupton rritje të rrezikut të përhapjes së tumorit në organe të tjera (metastaza), me çka zvogëlohen mundësitë për ndërhyrje kirurgjike të suksesshme.
𝐀 𝐩𝐞𝐫𝐝𝐨𝐫𝐞𝐧 𝐦𝐞𝐭𝐨𝐝𝐚 𝐦𝐨𝐝𝐞𝐫𝐧𝐞 𝐬𝐢 𝐥𝐚𝐩𝐚𝐫𝐨𝐬𝐤𝐨𝐩𝐢𝐚?
𝐃𝐫.𝐀𝐥𝐛𝐞𝐫𝐭 𝐌𝐢𝐟𝐭𝐚𝐫𝐢:Po, laparoskopia përdoret prej disa vitesh në spitalin tonë. Aktualisht, me laparoskop kryhen operacionet e largimit të gurëve në tëmth – kolecistektomitë. Laparoskopia përdoret edhe për qëllime diagnostike (biopsi) dhe eksplorative. Kjo metodë minimizon prerjet kirurgjikale, dhimbjet pas operacionit janë shumë të vogla, qëndrimi në spital është më i shkurtër dhe rikthimi në aktivitet normal shumë më i shpejtë sesa me metodat klasike operative.
𝐂̧𝐟𝐚𝐫𝐞 𝐤𝐮𝐣𝐝𝐞𝐬𝐢 𝐝𝐮𝐡𝐞𝐭 𝐭𝐞 𝐤𝐞𝐭𝐞 𝐩𝐚𝐜𝐢𝐞𝐧𝐭𝐢 𝐩𝐚𝐬 𝐧𝐣𝐞 𝐨𝐩𝐞𝐫𝐚𝐜𝐢𝐨𝐧𝐢 𝐚𝐛𝐝𝐨𝐦𝐢𝐧𝐚𝐥 𝐩𝐞𝐫 𝐬𝐡𝐞𝐫𝐢𝐦 𝐬𝐚 𝐦𝐞 𝐭𝐞 𝐬𝐡𝐩𝐞𝐣𝐭𝐞?
𝐃𝐫.𝐀𝐥𝐛𝐞𝐫𝐭 𝐌𝐢𝐟𝐭𝐚𝐫𝐢:Kujdesi pas një operacioni abdominal është vendimtar për të parandaluar komplikimet dhe për të siguruar një shërim të shpejtë e të plotë. Këto janë shtyllat kryesore të kujdesit postoperator:
𝐌𝐨𝐛𝐢𝐥𝐢𝐳𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐡𝐞𝐫𝐬𝐡𝐞̈𝐦 (𝐥𝐞̈𝐯𝐢𝐳𝐣𝐚): Stimulon qarkullimin e gjakut, parandalon trombozën venoze dhe ndihmon në rikthimin e funksionit të zorrëve.
𝐊𝐮𝐣𝐝𝐞𝐬𝐢 𝐩𝐞̈𝐫 𝐩𝐥𝐚𝐠𝐞̈𝐧 𝐨𝐩𝐞𝐫𝐚𝐭𝐢𝐯𝐞: Pastrimi i plagës dhe ndërrimi i fashave të bëhet sipas udhëzimeve.
𝐏𝐞̈𝐫𝐝𝐨𝐫𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐫𝐫𝐞𝐠𝐮𝐥𝐥𝐭 𝐢 𝐭𝐞𝐫𝐚𝐩𝐢𝐬𝐞̈: Marrja e barnave të përshkruara me përpizmeri.
𝐔𝐬𝐡𝐪𝐲𝐞𝐫𝐣𝐚 𝐝𝐡𝐞 𝐡𝐢𝐝𝐫𝐚𝐭𝐢𝐦𝐢:Në periudhën postoperatore zakonisht fillohet me lëngje, pastaj me ushqime të buta deri në rikthim të dietës normale.
𝐄𝐯𝐢𝐭𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐚𝐤𝐭𝐢𝐯𝐢𝐭𝐞𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐚 𝐟𝐢𝐳𝐢𝐤𝐞: Shmangia e sforcimeve dhe ngritjes së peshave.
𝐊𝐨𝐧𝐭𝐫𝐨𝐥𝐥𝐞𝐭: Vizitat mjekësore të bëhen sipas protokollit të caktuar.
𝐂̧𝐟𝐚𝐫𝐞 𝐤𝐞𝐬𝐡𝐢𝐥𝐥𝐚𝐬𝐡𝐝𝐨 𝐭’𝐮 𝐣𝐞𝐩𝐧𝐢𝐭 𝐪𝐲𝐭𝐞𝐭𝐚𝐫𝐞𝐯𝐞 𝐩𝐞𝐫 𝐫𝐮𝐚𝐣𝐭𝐣𝐞𝐧𝐞 𝐬𝐡𝐞𝐧𝐝𝐞𝐭𝐢𝐭 𝐭𝐞 𝐬𝐢𝐬𝐭𝐞𝐦𝐢𝐭 𝐭𝐫𝐞𝐭𝐞𝐬 𝐝𝐡𝐞 𝐩𝐚𝐫𝐚𝐧𝐝𝐚𝐥𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐩𝐫𝐨𝐛𝐥𝐞𝐦𝐞𝐯𝐞 𝐚𝐛𝐝𝐨𝐦𝐢𝐧𝐚𝐥𝐞?
𝐃𝐫.𝐀𝐥𝐛𝐞𝐫𝐭 𝐌𝐢𝐟𝐭𝐚𝐫𝐢: Ruajtja e shëndetit të sistemit tretës është një nga mënyrat më efektive për të shmangur probleme serioze që mund të kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale (si apendicit, gurë në tëmth, hernie, obstruksion intestinal, divertikulit etj.). Rekomandohen këto këshilla:
𝐔𝐬𝐡𝐪𝐢𝐦𝐢:Konsumi i frutave dhe perimeve ndihmon në lëvizshmërinë e zorrëve, rrjedhimisht minimizon rrezkun për obstruksion intestinal dhe hemoroide. Evitimi i ushqimeve të shpejta (fast-food), mishit të skuqur dhe yndyrave zvogëlon rrezikun për gurë në tëmth.
𝐊𝐨𝐧𝐬𝐮𝐦𝐢 𝐢 𝐮𝐣𝐢𝐭: Pirja e të paktën 2 litrave ujë në ditë parandalon kapsllëkun, ndihmon në funksionimin e veshkave dhe të mëlçisë.
𝐀𝐤𝐭𝐢𝐯𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐟𝐢𝐳𝐢𝐤: Stimulon peristaltikën e zorrëve, ul rrezikun nga obeziteti e rrjedhimisht ul rrezikun për hernitë abdominale.
𝐌𝐨𝐬𝐩𝐞𝐫𝐝𝐨𝐫𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐝𝐮𝐡𝐚𝐧𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐚𝐥𝐤𝐨𝐨𝐥𝐢𝐭: Ul rrezikun e ulçerave të lukthit dhe kancerit të sistemit tretës. Evitimi i alkoolit shmang rrezikun nga pankreatiti.
𝐊𝐮𝐣𝐝𝐞𝐬 𝐦𝐞 𝐚𝐧𝐚𝐥𝐠𝐣𝐞𝐭𝐢𝐤𝐞̈𝐭:
Abuzimi me analgjetikë (diklofenak, ibuprofen) mund të shkaktojë ulçerë gastrike, gjakderdhje gastrointestinale apo edhe perforacion të stomakut.
𝐊𝐨𝐧𝐭𝐫𝐨𝐥𝐥𝐞𝐭 𝐦𝐣𝐞𝐤𝐞̈𝐬𝐨𝐫𝐞:Të kryhen kontrolle periodike, veçanërisht personat me histori familjare të sëmundjeve të traktit tretës apo tumoreve.







