
‘’Është e rëndësishme që në përfaqësimin e Kosovës me i pas njerëzit me të ndershëm e më të dijshëm. Nuk mundemi me i mbushë ambasadat, sikur nuk mundemi me i mbushë as ministritë me kushëri. Kushërit janë për të shpija. Familjarët e kusherinjtë janë për dasma, e jo për punësim në ministri. S’ka dasma nëpër ministria’’,kështu kishte deklaruar i pari i LVV-së, Albin Kurti, në shkurtin e vitit 2021, në kohën kur po mbahej fushata zgjedhore, por me kalimin e kohës dhe ndryshimin e viteve, me ardhjen e tyre në pushtet, kanë ndryshuar edhe gjërat, edhe fjalët, edhe premtimet, por vetëm është shtuar numri i rehatimeve.
E pak më herët, në 2019, Kurti ishte pajtuar që t’i ketë vetëm 12 Ministri, por me ardhjen në pushtet edhe ky numër ndryshoi dhe u rritë dukshëm.
“U dakorduam që t’i zvogëlojmë Ministritë nga 21 sa kanë qenë në keqqeverisjen e kaluar, t’i sjellim diku në 12. Por, edhe të mos jenë më shumë se një e treta e zëvendësministrave nga keqqeverisja e kaluar dy vjeçare, të mos jenë rreth 80 prej tyre, por një e treta e asaj çfarë kishim’’thoshte Kurti i vitit 2019.
Por, pak vite më vonë pas këtyre fjalëve të mëdha të Albin Kurtit, gjërat thuajse kanë ndryshuar krejtësisht edhe në këtë pjesë.
Numri i ministrive u rritë e po ashtu edhe familjarët u punësuan nëpër ministri.
Kabinetet e ministrave në Qeverinë e Kosovës vazhdojnë të kenë një numër të konsiderueshëm këshilltarësh politikë, asistentësh dhe stafit mbështetës, sipas të dhënave të publikuara nga institucionet përkatëse.
Në disa ministri, numri i këshilltarëve arrin deri në tetë, ndërsa krahas tyre janë angazhuar edhe shefa kabinetesh, asistentë ekzekutivë, zyrtarë administrativë dhe këshilltarë të jashtëm.
Vetëm këshilltarë politikë dhe këshilltarë të jashtëm janë 57 të tillë, duke iu referuar ministrive që kanë publikuar të dhënat për numrin e këshilltarëve, derisa po ashtu kanë 25 asistentë.
Sa i përket si staf tjetër mbështetës (shefa kabineti, shefa stafi, zyrtarë administrativë, nëpunës administrativë, shoferë etj.) numri i tyre shkon në 19 të tillë, pa i përmbledhur këtu ministritë që s’kanë deklaruar të dhëna.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e udhëhequr nga Glauk Konjufca, prin për nga numri i këshilltarëve, me tetë të tillë, katër asistentë, një nëpunës administrativ dhe dy zyrtarë administrativë, gjithsej pesëmbëdhjetë.
Mesin e këshilltarëve, aty del të jetë edhe Ene Aliu, djali i ish-ministrit të infrastrukturës, Liburn Aliu.
Në Ministrinë e Mbrojtjes, të drejtuar nga Ejup Maqedonci, kabineti përbëhet nga shtatë këshilltarë, një shefe kabineti, një zyrtar ekzekutiv dhe një zyrtare administrative, gjithsej dhjetë.
Pesë këshilltarë politikë janë të angazhuar edhe në kabinetin e ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, i cili ka gjithashtu dy asistente, gjithsejë shtatë.
Po aq këshilltarë ka edhe ministri Andin Hoti në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, krahas dy asistenteve.
Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka gjashtë këshilltarë, një asistente dhe një shefe kabineti, ndërsa ministri për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri, ka një shef kabineti, pesë këshilltarë dhe dy asistentë.
Në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ministrja Fitore Pacolli Dalipi ka një shefe kabineti, Edona Bajçinca e cila është balldëska e Glauk Konjufcës, një shefe stafi, katër këshilltarë, tre asistente dhe katër këshilltarë të jashtëm.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka katër këshilltarë dhe tre asistentë, ndërsa ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka tre këshilltarë dhe dy asistente.
Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka një shef kabineti dhe tre këshilltarë, kurse ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, ka dy këshilltarë, një shofer, një shefe të stafit të kabinetit dhe një asistente.
Në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, ministri Elbert Krasniqi ka një shefe kabineti dhe tre këshilltarë.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka një shefe kabineti, një këshilltare dhe dy asistente.
Kabinetet më të vogla figurojnë në Ministrinë e Financave, ku Hekuran Murati ka një këshilltar politik dhe një asistente ekzekutive, si dhe në Ministrinë e Shëndetësisë, ku për ministrin Arben Vitia raportohen dy asistente, ndërsa numri i këshilltarëve nuk është bërë publik.
Për disa institucione, si Zyra e Zëvendëskryeministrit të tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim, e drejtuar nga Fikrim Damka, Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike me ministër Lulëzon Jagxhiu, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit me ministre Mimoza Kusari-Lila, si dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim me ministër Nenad Rašić, nuk janë siguruar të dhëna për përbërjen e kabineteve.
Të dhënat tregojnë se në shumicën e ministrive numri i këshilltarëve politikë dhe stafit mbështetës mbetet i lartë, duke ngritur diskutime mbi madhësinë e kabineteve ministrore dhe koston e funksionimit të tyre.
Hajdar Beqa: Emërimet në ministri po shfrytëzohen si “shab zgjedhor” i LVV-së
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, për FrontOnline ka kritikuar mënyrën e emërimeve të këshilltarëve politikë dhe asistentëve nëpër ministritë e vendit, duke e akuzuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje për përdorim politik të institucioneve shtetërore në prag të zgjedhjeve.
Sipas Beqës, rritja e numrit të stafit politik nuk i shërben qytetarëve, por ka karakter elektoral dhe politik.
“Numrin e tyre e shoh më shumë si shtab zgjedhor i LVV-së dhe Albin Kurtit se sa qeveri më i shërby qytetarëve dhe shumica e tyre janë emëru pasi janë shpallë zgjedhjet dhe në rrethana normale duhet me u përgjigj para prokurorisë sepse nuk mundet me u keqpërdor buxheti i shtetit për fushatë por duhet me u përdorë për me iu shërby qytetarëve”, ka deklaruar Beqa për FrontOnline.
Hadergjonaj: Qeveria ‘’Kurti’’ ka rritur Ministritë dhe stafin politik në kundërshtim me premtimet
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Fadil Hadergjonaj, për FrontOnline ka kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, duke e akuzuar për mospërputhje mes premtimeve dhe veprimeve në qeverisje, veçanërisht sa i përket strukturës së kabinetit qeveritar dhe numrit të stafit mbështetës.
Sipas Hadergjonajt, ndonëse kryeministri Kurti kishte paralajmëruar reduktim të ministrive, këshilltarëve dhe asistentëve, në praktikë ka ndodhur e kundërta.
“Kurti ka fol edhe për numrin e ministrive se si do e ulë numrin e tyre, do e ulë numrin e këshilltarëve e asistentëve, ka fol edhe për xhipat e zi, se me nisë çka ka fol Kurti është problem, sepse çka ka fol e ka bërë të kundërtën, sepse ka rritë edhe numrin e ministrive në 4 më shumë e madje këto ministri nuk janë paraparë në buxhetin e këtij viti, që do të thotë se është ndesh me atë që ka folë, edhe me numrin e asistentëve dhe këshilltarëve’’ tha ai për FrontOnline/
Ai theksoi se rritja e numrit të ministrive dhe stafit qeveritar, sipas tij, nuk është shoqëruar me efektivitet të dukshëm në qeverisje, duke vënë në pikëpyetje impaktin e tyre real në institucionet shtetërore.
“Lëre që u rritë numrin, por e kanë tepru, se nuk paskan qenë për dasma, por për kabinetin e qeverisë Kurti. Nuk e shoh impaktin e tyre, por duke parë për bazë qeverisjen. Më së miri e dijnë ata që i kanë aktivizu’’, potencoi Hadërgjonaj./Front Online.










