Deputeti i PDK-së dhe ish-gjenerali i FSK-së, Rrahman Rama, ka bërë të ditur se bashkë me 40 deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm për inicimin e Ligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.
Sipas tij, projektligji tashmë është përgatitur dhe kompletuar me të gjithë dokumentacionin përkatës, por ende nuk është dorëzuar zyrtarisht për procedim.
Rama theksoi se vonesa lidhet me paqartësitë rreth mundësisë së shpërndarjes së Kuvendit, duke shtuar se janë në pritje të zhvillimeve të mëtejshme për të vepruar në përputhje me situatën institucionale.
Ai ka bërë të ditur se, në rast se Kuvendi nuk shpërndahet, projektligji do të procedohet pa vonesë, duke shprehur bindjen se vlerat e luftës për liri meritojnë mbrojtje dhe institucionalizim përmes ligjit.
Në fund, Rama ka shprehur mirënjohje për deputetët që kanë mbështetur këtë nismë, të cilën e ka cilësuar si të rëndësishme në aspektin legjislativ.








