Familja Geci thotë se fjalimi i Fatos Gecit kundër Thaçit u shkrua nga Ilir Kërçeli i VV-së

Publikuar më:

Një tjetër anëtar i familjes Geci ka deklaruar se fjalimi i Fatos Gecit në Kuvendin e Kosovës kundër presidentit Hashim Thaçi është shkruar nga dikush brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Nehat Geci, ka thënë se deklarata është shkruar nga Ilir Kërçeli.

Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë se gjatë një bisede telefonike, nipi i tij, Fatos Geci, ia konfirmoi personalisht se fjalimi është shkruar nga deputeti i VV-së, Ilir Kërçeli.

“Sot rreth orës 13:50 isha në një kafiteri në Skenderaj duke pirë kafe së bashku me dy nipërit e mi, Artonin (vëllanë e Fatosit) dhe Festimin. Gjatë një bisede telefonike me Fatosin, ai më tregoi personalisht se fjalimin që ka mbajtur në Kuvend ia ka shkruar deputeti i VV-së, Ilir Kërçeli, të cilin unë në fakt nuk e njoh fare. Pas kësaj, bëra një hulumtim të shkurtër për të parë se kush eshte Ilir Kërçeli dhe gjeta ketë foto. Kjo është e vërteta e kësaj historie. Këtë bisedë e kanë kuptuar edhe Artoni dhe Festimi”, ka shkruar ai.

Deklaratë të ngjajshme, mbrëmjen e së mërkurës bëri edhe Gani Geci. Ai në Debat Plus u shpreh:

“Dua të inkuadrohem për ata që u distancuan nga fjalimi i Fatos Gecit. E kam fjalën për të VV-së se prapa atij fjalimi qëndron një prej deputetëve të LVV-së, njeri i afërt i Albin Kurti dhe Glauk Konjufcës… ia ka thënë letrën njeri deputet i LVV-së”, ka thënë Geci.

Pas kësaj deklarate, vet deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje doli me një postim duke pretenduar se fjalimi është shkruar nga ai, “në mënyrë spontane”.

“Mjafte më spekulime. Unë i kam shkruar vetë ato fjali në mënyrë spontane, në momentin kur deputeti i PDK-së tha se po friksohemi nga Thaçi. Jepini fund këtyre lojërave”.

Ndryshe, në seancën e së martës, Geci në Kuvendin e Kosovës uroi që presidenti të dënohet me burgim të përjetshëm.

“Sot dua të përshëndes vendimin e Gjykatës për burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit. Dhe ju që shpresoni se lideri juaj suprem do të lirohet, do ta përcjellë i njëjti fat.” – tha ai.

JU REKOMANDOJMË