DOKUMENT: “Trepça” e anulon tenderin 273 mijë euro, e jep me negociim 400 mijë euro

Publikuar më:

Ndërmarrja “Trepça” ka dhënë një tender prej 400 mijë euro me negocim për furnizim me kompresor për ajër të komprimuar. Por, çka ka ngritur dyshime është se fillimisht tenderi ishte i hapur me procedurë të rregullt dhe me një vlerë të parashikuar prej 273 mijë euro. Trepça e anuloi këtë tender për ta dhënë njëburimor.

Ristrukturimi i një tenderi në Trepça sh.a. për furnizim me kompresor për ajër të komprimuar po ngre dyshime për manipulim dhe kufizim të konkurrencës.

Fillimisht ky tender ishte shpallur më 28 janar 2026 dhe ishte zhvilluar përmes procedurës së hapur, duke u anuluar më 13 shkurt 2026 pa një arsyetim të detajuar.

“Ndërprerja e aktivitetit të prokurimit është i nevojshëm për shkak të ngjarjeve dhe/apo arsyeve objektive dhe të demonstrueshme të cilat janë jashtë kontrollit të autoritetit kontraktues dhe të cilat kanë qenë të paparashikueshme në kohën e inicimit të aktivitetit të prokurimit“, thuhet në arsyetim.

Dy ditë afat për operatorët ekonomik dhe rritje e vlerës së kontratës

Për të njëjtin furnizim më pas është shpallur një tender i ri, por këtë herë përmes procedurës së negociuar pa publikim, një praktikë që sipas Ligjit të Prokurimit Publik lejohet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme.

“Nëse, për aq sa është shumë e nevojshme për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues, autoriteti i tillë kontraktues nuk mund ta japë kohën e kërkuar për ushtrimin e cilësdo procedurë tjetër që parashtrohet në këtë ligj”, thotë ligji.

Së bashku me këtë u ndryshua edhe afati i dorëzimit të ofertave.

Operatorët ekonomikë kanë pasur vetëm dy ditë kohë për të përgatitur dhe dorëzuar ofertat, çka ngre dyshime për eliminim të konkurrencës.

Dosja e tenderit u ngarkua në e-prokurim me 11.05.2026 ndërsa afati për mbylljen ishte 13.03.2026

Ligji lejon përdorimin e afatit të shkurtuar vetëm në rastet kur: ekziston një urgjencë reale dhe e paparashikueshme që e bën të pamundur respektimin e afateve standarde.

Për më tepër, vlera e kontratës ka pësuar rritje të ndjeshme.

Nga 273 mijë euro sa ishte parashikuar fillimisht, ajo ka arritur në vlerë të parashikuar prej 398 mijë e 500 euro, një rritje prej rreth 46 për qind.

Ndërsa kontrata u dha për 394 mijë euro kompanisë Atlas Copco – Segment Kosova sh.p.k.

Ndryshime të rëndësishme janë bërë edhe në kriteret teknike.

Në tenderin e dytë janë shtuar kërkesa shtesë si standardet ISO 45001 dhe ISO 14001, si dhe specifikimi shumë i ngushtë ISO 8573-1 Class 0, që lidhet me kompresorë pa vaj (oil-free).

Po ashtu kërkohet edhe staf i certifikuar nga prodhuesi dhe deklarata të shumta nga prodhuesi.

Një tjetër ndryshim lidhet me afatin e realizimit të kontratës, i cili është zgjatur nga 180 në 270 ditë.

JU REKOMANDOJMË